Lajme

Një granatë dore e prodhimit “jugosllav” gjendet në Liqenin e Zug-ut

Një qytetar ka gjetur një bombë dore të prodhimit "jugosllav" në Liqenin e Zug-ut. Policia ka bllokuar zonën për shkaqe sigurie

Një qytetar që po shëtiste buzë Liqenit të Zug-ut ka gjetur të dielën rreth kohës së drekës një objekt shpërthyes, njofton Policia e Zug-ut në Facebook. Kalimtari ka informuar një polic, i cili në ato çaste ishte duke patrulluar këmbë në këtë zonë, shkruan srf.ch.

Bomba (granata) e dorës ndodhej në ujë, rreth një metër larg nga bregu. “Zona e bregut të liqenit është mbyllur për shkaqe sigurie, deri në ardhjen e një specialisti nga Instituti i Forenzikës në Cyrih, transmeton albinfo.ch. Ky pastaj e ka hequr granatën nga vendi ku ishte hedhur.

Granata e dorës e tipit M75 thuhet të jetë me prejardhje jugosllave dhe nuk posedonte pajisje ndezëse.

Autoritetet e ndjekjes penale nuk kanë mundur të japin informacione rreth asaj se si ka përfunduar kjo granatë në këtë vend dhe sa gjatë ka qenë ajo aty.