Literaturë
“Një fije shprese…”, një roman mbi dhimbjen dhe shpresën
Shtëpia botuese Xanthippe e Cyrihut ka promovuar romanin e përkthyer gjermanisht të Ag Apollonit "Ein Funke Hoffnung, ein zündender Funke"
Romani i Ag Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ka bërë edhe një stacion në rrugën e suksesshme të promovimit të tij, jashtë vendit. Mbrëmë, më 25 tetor, përkthimi në gjermanisht i këtij romani “Ein Funke Hoffnung, ein zündende Funke” ka pasur promovimin e tij në Cyrih.
Romani është përkthyer nga Zuzana Finger, përkthyese e njohur nga shqipja në gjermanishte.
Shtëpia botuese Xanthippe e Cyrihut është kujdesur që të bëjë këtë prezantim, me praninë e autorit, në një ambient të vogël dhe të ngrohtë të kësaj shtëpie, që ndodhet në pjesën historike të qytetit të Cyrihut, shkruan albinfo.ch.
Botuesja Yvonne-Denise Köchli ka hapur këtë mbrëmje duke prezantuar fillimisht me pak fjalë subjektin e librit. Pastaj, drejtimin e ka marrë Prof. Dr. Naim Kryeziu, profesor në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, njëherësh përkthyes i njohur nga gjermanishtja në shqipe dhe anasjelltas.
Ai ka folur për jetëshkrimin e autorit Apolloni dhe më tutje është ndalur në romanin, i cili po promovohej.
Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ndjek në mënyrë paralele fatin e dy grave shqiptare nga Kosova që kanë pasur fatin e rëndë të jenë nëna të fëmijëve të zhdukur në luftë. Fjala është për nënën Pashke Markaj-Krasniqi dhe nënën Ferdonije Qerkezi, ka thënë dr. Kryeziu. Të parës i janë vrarë dy nga djemtë nga soldateska serbe. Pasi u janë gjetur kufomat, katër vite pas luftës, nga dhimbja e madhe Nëna Pashke i ka vënë zjarrin vetes dhe ka ndërruar jetë, jo larg shtëpisë, në Korenicë të Gjakovës.
Po ashtu nga Gjakova është dhe nënë Ferdonija, e cila është ende në pritje të katër djemve dhe bashkëshortit, të grabitur në shtëpinë e tyre nga forcat serbe, në vitin 1999.
Folësi më tej ka theksuar se fati i dy grave në fjalë shpërfaqet edhe në titullin e romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, bazuar në shpjegimin e bërë më lart.
Ngjarjet e dhimbshme, të vërteta dhe shumë të njohura për publikun në Kosovë, i kanë shërbyer autorit Ag Apolloni për të ndërtuar një roman me bazë faktografike, ose “roman dokumentar” siç e ka quajtur ai vetë, ka thënë veç tjerash Dr. Naim Kryeziu.
Një fragment nga libri, në gjuhën gjermane, e ka lexuar shkrimtarja zvicerane Christine Fivian për t`i lënë radhën bashkëbisedimit me autorin Ag Apolloni dhe leximit nga ana e tij, të fragmenteve të librit, në gjuhën shqipe.
Pjesa tjetër e mbrëmjes ka vazhduar me pyetjet që të pranishmit i kanë drejtuar autorit të romanit, Ag Apolloni, në lidhje me librin, shkruan albinfo.ch.
Ai është pyetur nga kritikja letrare zvicerane Clara Obermüller për mitin grek dhe ndikimin e letërsisë greke (antike) në letërsinë shqipe dhe nüe këtë libër. Pyetjet tjera kishin të bënin me katarzën (catharsis) që karakterizon veprat letrare që përpunojnë subjekte tragjedish të rënda sikur ky i librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” etj.
Lexues të tjerë të pranishëm, zviceranë dhe shqiptarë, i janë drejtuar autorit me pyetje mbi vërtetësinë e ngjarjeve që përshkruhen në roman, qasjen e tij ndaj “dokumentaritetit të letrarizuar” etj.
Në përgjigjet e tij, autori i është referuar emërtimit “roman dokumentar” të veprës së tij, që është në vetvete përgjigjja për shumë nga pyetjet e shtruara këtu.
Apolloni i është përgjigjur edhe pyetjes nëse ai si dy “protagoniste” të romanit ka zgjedhur qëllimisht dy shqiptare të dy besimeve të ndryshme: njëra katolike dhe tjetra myslimane. Ai ka thënë se sikur asgjë tjetër në këtë roman, as kjo nuk është rastësi. Dhuna deri në përmasat e gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës në luftën e fundit nuk është drejtuar vetëm mbi njërin konfesion. Ajo ka pasur për qëllim dëbimin ose zhdukjen e të gjithë shqiptarëve pa dallim besimi, prandaj dhe qëndron konstatimi se kam bërë qëllimisht këtë zgjedhje.
Më tutje ai ka thënë se si autor në këtë roman nuk pledon për urrejtje ndaj serbëve, por për dënim të veprimeve gjenocidale të Millosheviqit dhe të pasuesve të politikës së tij, në Ballkan e gjetiu.
Një moment prekës ka qenë prezantimi në këtë mbrëmje i njërit nga djemtë e Nënës Pashke, i cili jeton në Zvicër dhe ishte kursyer nga lufta, dhe dy mbesave të saj. Dy të fundit kanë falënderuar autorin Ag Apolloni për librin që i ka kushtuar familjares së tyre, duke përjetësuar kështu kujtimin për nënën Pashke.
Të ngjashme
Të tjera nga Literaturë
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve