Manifestime

Një “Faleminderit” e fuqishme për Gjermaninë

Të pranishëm ishin: Peter Weiß deputet federal, këshilltari i landit, Hanno Hurth, kryebashkiaku Stefan Schlaterer etj

Me moton “Faleminderit Gjermani”, më 2 shkurt në Emmendingen afër Freiburgut në organizim të shoqatës “Yjet e Kosovës” është mbajtur tubimi festiv me rastin e vitit të katërt të pavarësisë së Kosovës. Ky manifestim me karakter solemn, siç e tregon motoja, u drejtohej vendësve, gjermanëve, respektivisht ishte menduar për t`iu drejtuar atyre mirënjohjen për gjithë atë që e kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën.

Të pranishëm ishin një numër i madh përfaqësuesish të politikës së vendit, të të gjitha niveleve. Peter Weiß deputet i Parlamentit Federal Gjerman nga ky regjion, këshilltari i landit Baden Würtemmberg, Hanno Hurth, kryebashkiaku Stefan Schlaterer dhe drejtuesi i Wonheimit z.Kreis, ishin pjesëmarrësit më përfaqësues.

Ndërkaq, për shkak të pamundësisë, në momentin e fundit dështoi pjesëmarrja e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita. Ai, në momentin e fundit ishte detyruar të ndryshonte protokollin, për shkakun se duhej të ishte në pritjen e presidentes së Kosovës, e cila po atë ditë vinte në vizitë në Gjermani, gjegjësisht në Munih. Sidoqoftë, ambasadori Mirdita u është drejtuar të pranishmëve me një përshëndetje të drejtpërdrejtë, nga Munihu.

Manifestimi filloi me këngën „Shumë urime për ty, Kosovë”, për të vazhduar pastaj me “Vallen e Pavarësisë” dhe me Himnin Gjerman. Në programitnartistik kanë kontribuuar Mustafë Shabani, Nife Shala, Gentiana Shehu, Albert Ibrahimaj, Bleona Shabani dhe grupi Hip Hop i shoqatës.

Takimin e ka hapur kryetari i shoqatës „Yjet e Kosovës” e.V, Tahir Shabani me një fjalim përshëndetës, kua ia ka shprehur gjithë mirënjohjen e thellë që shqiptarët dhe Kosova ushqen për popullin gjerman dhe shtetin e Gjermanisë.

Ai ka përkujtuar kohët e vështira, të paraluftës dhe të luftës, kur shqiptarët e Kosovës i ishin nënshtruar një gjenocidi, dhe, po të mos ishte ndihma e shteteve të perëndimit, në mënyrë të veçantë edhe ajo e Gjermanisë, pasojat do të ishin katastrofike.

Shabani ka falënderuar Gjermaninë në veçanti edhe për ndihmën që po jep në periudhën e pasluftës, në ndërtimin e Kosovës dhe në mbrojtjen e pavarësisë së saj.

Në vazhdim, një fjalim e ka mbajtur Peter Weiß deputet i parlamentit Gjerman, e pas tij Landrati (këshilltar i republikës) Hanno Hurth. Kryebashkiaku Emmendingenit, Stefan Schlaterer ka qenë oratori i radhës ndërsa i fundit është paraqitur me fjalim, kryetari i Wonheimit z.Kreis.

E përbashkëta e të gjitha këtyre fjalimeve ishte mirënjohja për punën e shoqatës dhe për kontributin e diasporës kosovare për ndërtimin e Kosovës. Sepse, siç u tha nga oratorët, pa pjesëmarrjen e saj vështirë se do të ekzistonte Kosova si shtet.

Shoqata “Yjet e Kosovës” u ndau mirënjohje disa personaliteteve, gjermane për kontributin e tyre dhënë integrimit dhe afirmimit të shqiptarëve të këtushëm. Kështu, deputetit Peter Weiß iu dhurua libri për Nënë Terezen, me autor Don Lush Gjergjin, këshilltarit republikan, Hano Hurth iu dhurua një portreti i Nënës Tereze. Kryebashkiakut Stefan Schlaterer iu dhurua busti i Nënës Tereze kurse z. Kreis, një pllakë tavoline me foton e Nënës Tereze.

Ndërsa në emër të shqiptarëve të Baden Würtenbergut, gazetari veteran i ish Rilindjes, njëherësh veteran i arsimit në diasporë, Dedë Mirdita ndau po ashtu mirënjohje dhe dhurata. Kështu, z. Peter Weiss u nderua me skulpturën e „engjëllit” në bronz të punuar nga skulptori ynë i mirënjohur Mal Myrtaj. Z.Kreis u nderua me pikturën e „Nënës Tereze” në pëlhurë, punim i piktorit Augustin Pergega.

Në pauzë, mysafirët, gjermanë e shqiptarë, patën mundësinë të njiheshin dhe të shkëmbenin mendime mes vete. Po kështu ata shijuan specialitetet shqiptare të përgatitura nga anëtaret e shoqatës.

Të pranishmit po ashtu dëgjuan tingujt e kitarës së Albert Ibrahimajt (mësues i muzikës në shkollën gjermane Karl Fridrich Schule), dhe të saksofonit nga Bleona Shabani, që u pëlqyen shumë dhe u duartrokitën gjatë.

Në përmbyllje në një debat rreth Kosovës u inkuadruan Peter Weiss, Lon Karrica, Wolfgang Schnaiter, Nue Lekaj dhe Vera Jeshke.

   

Foto galeri