albinfo.ch
Integrimi
Një e treta e shefave të rrjetit të produkteve ushqimore „Spar“, me prejardhje shqiptare
Prezenca e punëtorëve me prejardhje shqiptare në supermarketet ushqimore në Zvicër është mjaftë e dukshme.
Ajo që nuk vërehet shumë, është se viteve të fundit shqiptarët po tregohen të suksesshëm si sipërmarrës që udhëheqin me sukses një numër të madh të supermarketëve që operojnë në Zvicër.
Dyqanet e supermarktetit të madh „Spar“ që janë prezente me produkte ushqimore në shumë vende të Zvicrës, kanë një numër të lartë të punëtorëve të huaj që drejtojnë në mënyrë autonome supermarktet e „Spar“-it.
Janë përmbi 100 ndërmarrës të regjistruar, të cilët një e më shumë supermarkete të “Spar“-it i drejtojnë në llogari të veten financiare. Prej tyre, më së paku, një e treta janë ndërmarrës me prejardhje shqiptare që „Spar“ ndryshe i quan detailistë. „Spar“ angazhon rreth 2150 punëtorë, nga të cilët 317 janë nxënës që bëjnë zanatin e shitësit në këto shitore. Sipas informacioneve që ka siguruar albinfo.ch, në ndërmarrjen e „Spar“-it punojnë punëtorë nga 36 nacionalitete.
Punëtorët shqiptarë apo me prejardhje shqiptare prijnë në këtë zanat si drejtues të suksesshëm të supermarketeve në formën e detailistëve që furnizohen nga „Spar“, por që funksionojnë të pavarur sipas sistemit „françis“. Ndryshe, detailistët e pavarur pasqyrojnë suksesin e këtij rrjeti të produkteve ushqimore.
Shefi përgjegjës i rrjeteve të detailistëve të „Spar“-it në Zvicër, Andre Scherrer, deklaron për albinfo.ch se është mjaftë i lumtur me punën e shqiptarëve.
„Ne kemi shumë detalistë me prejardhje shqiptare dhe përvoja që ne kemi bërë me ta, është shumë, shumë pozitive. Ata janë mbi të gjitha njerëz shumë të zellshëm me një vullnet të madh dhe për ne kjo është një përvojë vërtet shumë pozitive“, deklaron Scherrer.
Produktet ushqimore të „Spar“-it vijnë nga regjioni dhe sipas kërkesave të banorëve ku „Spar“ është prezent, thotë Scherrer.
Sipas Scherrer, „Spar“ furnizon marktet e veta me produkte ushqimore sipas kërkesave të banorëve ku është prezent.
„Në Cyrih ku grupi i komunitetit shqiptar është më i madh dhe ofrojmë më tepër produkte apo specialitete nga Ballkani. Sepse kemi konsumatorë që i kërkojnë produktet nga Ballkani dhe ne i integrojmë në listën e porosive tona. Kurse aty ku nuk kërkohen, i plotësojmë me produkte të tjera“, shprehet ai.
Për numrin e drejtuesve shqiptarë të supermarketeve thotë se nuk kan bërë një numërim, por konfirmon se një e treta e detalistëve të „Spar“-it janë emra apo sipërmarrës me prejardhje shqiptare. „Nuk mund them me saktësi, sepse kurrë nuk i kam numëruar, por shikuar nga emrat, mendoj se një treta e detalistëve janë me kombësi shqiptare“.
Detailistët janë të obliguar që më së paku 70 për qind e produkteve t‘i kenë nga „Spar“. Kurse 30 për qind i kanë duart e lira të furnizohen, ku dhe si të dëshirojnë ata vetë.
Duke filluar nga muaji janar, ajvari kosovar i firmës ASK-Foods do t‘i mbushë vitrinat „Spar“-it, thotë për albinfo.ch Anton Gjergjaj, përfaqësues i Sindikatës Tregtare.
„Jemi duke punuar që të sjellim sa më shumë prodhime kosovare në vitrinat e dyqaneve të „Spar“-it“, shprehet Gjergjaj.
Gjergjaj nuk mohon se sukseset e drejtuesve shqiptarë në Zvicër të kenë ndikuar që së fundi „Spar“ të fillojë të shtrijë rrjetin e marketeve edhe në Shqipëri.
Siç dihet, „Spar Internacional“ ka bërë të ditur se në bashkëpunim me ndërmarrjen BAlfin Group do të hapë dy shitoret e para në Shqipëri, në Tiranë East Gate (TEG) dhe në QTU-Qendrën Tregtare. „Spar“-i në Shqipëri planifikon bashkë me grupin Balfin të hapë 15-shitoret e markës „Spar“ dhe deri në fund të vitit 2017 të hapë 10 qendra të mëdha tregtare dhe mbi 100 supermarkete.
Plot 50 milionë euro do të investohen në Shqipëri nga “Spar”. Në fund do të jetë rrjeti më i madh tregtar i produkteve ushqimore në Shqipëri. Shqipëria është vendi i 44-t ku “Spar” ka shtrirë prezencën e vet.
Albinfo.ch ka kontaktuar disa nga partnerët apo detailistët shqiptarë të “Spar”-it, të cilët flasin për përvojat e tyre të bashkëpunimit
Anton Gjergjaj është personi përfaqësues i Sindikatës Tregtare të punëtorëve të “Spar”-it. Angazhimi i tij është vendimtar që ajvari kosovar i kompanisë së njohur gjilanase ASK Foods nga ky vit do të fillojë të shitet në marketet e “Spar”-it në Zvicër.
Anton Gjergjaj ka një përvojë pune prej 16 vjetësh në këtë profesion. Para se të fillojë me “Spar”-in në vitin 2011, ai ka pasur dy dyqane të tjera. Ai ka një qarkullim vjetor prej 3.5 milionëve, por thotë se që nga rënia e euros kemi vështirësi, pasi që jemi shumë afër shteteve fqinje, si Gjermania e Franca.
“Në supermarketin aktual punojmë 7 ditë në javë bashkë me familjarët dhe studentët që më ndihmojnë gjatë vikendeve“, tregon Gjergjaj.
Nuk ka rëndësi nacionaliteti, duhet të kenë njohuri për punën që bëjmë, shprehet ai rreth përkatësisë nacionale të punëtorëve që ka. „Mund të theksoj që nxënësit me prejardhje shqiptare i kam favorizuar qëllimisht që e ardhmja e tyre të jetë sa më e begatshme“, shton Gjergjaj.
Për numrin e filialeve të “Spar”-it që i drejtojnë shqiptarët, thotë të sillen 30 deri në 40, por një stastikë nuk ka, këto shofra dalin nga emrat shqiptarë që figurojnë në listën e detailistëve.
„Për momentin nuk kam një numër të saktë, por supozoj se mund të sillet 30 deri në 40 filiale. Sado që të jetë numri, unë ndjehem gjithmonë krenar kur marr informacionin se supermarketi i ardhshëm do të kalojë nën drejtimin e një familjeje me emër shqiptar“, thotë Gjergjaj për albinfo.ch.
Nika dhe Marta Gjinaj drejtojnë tri supermarkete të “Spar”-it në Glarus, Bad Ragaz dhe Benken.
Prej vitit 2010 ka filluar me hapjen e parë të shitorës së “Spar”-it në Glarus, pastaj duke parë suksesin, Nika ka hapur edhe shitoren e dytë në Bad Ragaz dhe pastaj të tretën në Benken. Bashkëpunimin me “Spar”-in e përshkruan si më të mirin të mundshëm në këtë biznes.
„Aktualisht punojmë 28 punëtorë të nacionaliteteve të ndryshme, por kemi edhe shqiptarë. Në Glarus, pjesa më e madhe e të angazhuarve janë anëtarë të familjes. Pra, është një biznes familjar“, thotë Gjinaj.
„Marketi im në Glarus është një biznes thuajse tërësisht familjar që punon pa pushim, shtatë ditë në javë, dhe po mos të ishte familja, nuk do të kishim të drejtë ta mbanim për 360 ditë në vit hapur“, tregon shqiptari nga Kosova, Gjinaj.
Mban rreth 5500 produkte ushqimore dhe ka një qarkullim vjetor me rreth 12 milionë. Investimet e para në këtë biznes, Gjinaj i ka nisur me 280 mijë franga, kujton ai.
Detailistët janë të obliguar që më së paku 70 për qind e produkteve t’i kenë nga “Spar”-i. Kurse 30 për qind i kanë duart e lira të furnizohen ku dhe si të dëshirojnë ata vetë, tregon Gjinaj.
Në fund të bisedës me të, thotë ai; „Shkruaje me gërma të mëdha se jemi popull shumë punëtor, por mjerisht jo në shtëpinë tonë sa jemi punëtorë jashtë shtëpisë“.
Avgustin Balabani ka filluar binesin e tij në “Spar” me 350 mijë frang dhe vetëm pas tri vjetësh ka një qarkullim prej rreth 4 milionë
Avgustin Balabani ka tre vjet që ka filluar të bashkëpunojë me “Spar”-in, ka tetë punëtorë dhe mban rreth 3500 produkte në vitrinat e tij. Ai ka filluar biznesin me 350 mijë frang investime dhe tani pas tre vjetësh, deklaron ai, ka një qarkullim rreth 4 milionë franga.
Interesimin e “Spar”-it për t’ua besuar dyqanet një numri kaq të madh drejuesve shqiptarë, Avgustini thotë se „Spar është një biznes familijar këtu në Zvicër, ne shqiptarët jemi shumë familjarë, për atë arsye funksinon ky biznes shumë mirë“.
Arsyet pse shqiptarët e Zvicrës janë kaq të interesuar për të pasur shitoret e veta, Avgustini e sheh “Spar”-in si biznes që krijon hapesirë të mjaftueshme për familjet.
„Shumica që drejtojnë këto markete e kanë të kryer zanatin e tregtisë, prandaj janë të interesuar të investojnë në këtë segment. “Spar” është mundësia më e mirë në Zvicër që u ofron familjeve këtu të bëjnë një biznes që përfitojnë të dytë“, shprehet për albinfo.ch Avgustin Balabani.
Tre vëllezërit, Afrimi, Axhiu dhe Artim Bajrami, ndër shqiptarët e parë që kanë hapur dyqanet e tyre të “Spar”-it në afërsi të Cyrihut.
Ata kanë një pervojë 16-vjeçare me tregti, duke zgjeruar biznesin nga njëri vëlla tek tjetri. Vëllezërit Bajrami kanë tri dyqane të ”Spar”-it që i udhëhqin me sukses.
„Ne jemi në këtë biznes ka 16 vjet, ndër më të parët këtu në Zvicër. Bashkë me vëllezërit e mi unë Afrimi jam në filiale Dietlikon, Axhiu ne Schwerzenbach dhe Artimi në Wallisellen“, tregon Afrimi.
Ata punojnë me 21 punëtorë në tri qytete. „Në Dietlikon udhëheq Afrimi, në Wallisellen Artimi dhe në Schwerzenbach Axhiu“. Tre vëllezërit kanë startuar me rreth 500 mijë frang dhe tani kanë një qarkullim prej 8 milionë frangash.
Ata mbajnë afërsisht 25 deri 30 për qind produkte nga Ballkani dhe suksesin në punën e tyre e shohin të lidhur ngushtë me përkushtimin për të qenë sa më afër konsumatorëve, i drejtë dhe besnik.
„Kërkohet të jesh i sinqertë, pa ashtu duhet të jesh i drejtë. Ne shqiptarët vetëm me korrektësi e kemi fituar besimin te „Spar“-i Zvicër“, thekson Afrim Bajrami.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor