Integrimi

Një e dielë sportive në përkrahje të familjes skamnore nga Vitia

Nga ky turnir i organizuar ad-hoc u tubuan gjithsej 5400 CHF (pesëmijë e katërqind franga)

Mërgimtarët tanë edhe pse larg Atdheut hallet dhe preokupimet i kanë të përbashkëta me të gjithë shqiptarët  tjerë pavarësisht vendshtrirjes së tyre. Të arriturave të  tyre në kulturë , sport  dhe fusha të tjera u gëzohen shumë. Por, edhe rastet e atyre me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale i përjetojnë  tepër rëndë, në veçanti të asaj kategorie e cila ka ngelë  jashtë përkrahjes institucionale . Këta njerëz të lënë vetëm në mëshirën e zotit nuk mund ta përballojnë pafundësisht  varfërinë e tejskajshme.

Ditë më parë e përditshmja “EXPRESS” e Kosovës, ka publikuar në faqet e saj një shkrim mjaft prekës mbi gjendjen e rëndë materiale e shëndetësore të familjes Kasumi. Kjo  familje me të shpërthyer konflikti i armatosur në ish-Republikën jugosllave  të Maqedonisë, është vendosur në Viti të Kosovës,dhe që prej atëherë  ende nuk posedon  shtetësinë e  këtij vendi. Zyrtarët e kësaj komune refuzimin e kërkesës së familjes Kasumi për sistemin në një nga banesat shoqërore apo të ashtuquajtura banesa të solidaritetit e arsyetojnë  me mungesë   dokumentacionit të duhur.     

Pavarësisht  procedurave  administrative kjo familje  nuk bënë të braktiset dhe të lihet në vuajtje dhe mjerim të përhershëm.

Gjendja e familjes Kasumi është  akoma më e komplikuar kur dihet se një nga fëmijët e saj vuan nga  sëmundja e tokës (epilepsisë). Prandaj përkrahja materiale  në këtë rast   është   detyrim moral dhe njerëzor.  Përballja me  përditshmëritë e jetës mbi shpatullat e kryefamiljares Zenetije Kasumi rëndon si plumbi. Kjo familje pa kulm mbi kokë bredhë nga streha në strehë paditur çfarë do t,i sjellë e nesërmja. Vendosja në ndërtesën e zjarrfikëseve të komunës së Vitisë, nuk plotëson kurrfarë kushtesh, ajo është vetëm  shmangieje  nga qielli i hapur. Zenetija që nga vdekja e burrit të saj është në ankth  si ta sigurojë  kafshatën e gojës për vetveten dhe tre fëmijët e saj të mitur.
   

Çfarë do të thotë të jesh nënë dhe të shihesh fëmijët duke hulumtuar kantinjerët  e bërllokut në kërkim të bukës  ?!  Ushqimi i përditshëm nuk mund të sigurohet nga shitja e  kanaçeve të mbledhura, pallogaritur  këtu veshmbathjen dhe gjërat tjera elementare  për jetë. Thellësisht të prekur nga kjo situatë disa mërgimtarë vullnetmirë  nga Kantoni i Gjenevës të prirë nga: Nasuf Nuhiu,Ekrem Hyseni, Naim Salihu, Musah Halili, dhe shumë përkrahës  të tjerëtë kësaj nisme si formë më butë dhe më të përshtatshme për t,i dalë krah kësaj familjeje skamnore gjetën organizimin e një turniri të futbollit. Ata të vetëdijshëm se  më keqësimin e motit gjendja  e kësaj familje  mund të përkeqësohet edhe më tepër më , 7 dhjetor 2014   u mobilizuan  shpejt e shpejt  dhe në stadiumin e FC ”VERNIER” të 
Gjenevës, organizuan një turnir futbolli.

Në këtë ngjarje me karakter humanitar  prezantuan  21 ekipe të futbollit . Të gjithë njëzëshëm  ranë në ujdi që secila  nga skuadrat pjesëmarrëse të jap   nga 100CHF(njëqind frëng) si  ndihmë  familjes  Kasumi. Disa nga skuadrat  shprehen bujarinë dhe zemërgjerësinë e tyre duke kaluar edhe kuotën e caktuar.   Gjithashtu është për t,u  çmuar dhe gatishmëria e  disa mërgimtarëve  të cilët edhe pse    nuk ishin pjesë e turnirit e ndihmuan këtë aksion.     

Falë kontributit të tyre   turniri mori fizionominë e duhur,dhe përmbushi në tërësi synimet  e  parapara.

Në këtë gjest tipik  humanitar të mërgimtarëve tanë në Gjenevë u bashkuan  edhe disa të rinj  të komuniteteve të tjera. Ata  së bashku me  shqiptarët  uaktivizuanekipendryshme dhekështu dhanë ndihmesën e tyre.  Nga ky turnir i organizuar  ad-hoc  u tubuan gjithsej 5400 CHF(pesëmijë e katërqind frëng)  Patjetër duhet theksuar se  rrjedhjen e këtij turniri humanitar si zakonisht e  ndihmoi  edhe arbitri  me përvojë Ismet Qubreli ,i cili më tepër se tri decenie  është aktiv  në fushën e referimit.   Sipas regjistrave të arkivuar në Shoqata e Klube ky njeri  i papërtueshëm  e  solidar edhe në të kaluarën ka përkrahur me të holla dhe mjete tjera dhjetëra aksione të ngjashme.

Ky turnir bamirës  përfundoi  qetë ashtu siç ishte konceptuar. Organizatorët   falënderim të veçantë  adresuan në emër të disa  të rinjve të komuniteteve të tjera të cilët me  pjesëmarrjen e tyre në këtë  turnir treguan miqësinë dhe respektin ndaj shqiptarëve.  Vlen të ceket se në vendin e parë me plot meritë u radhit ekipi “SHQIPONJA” në të dytin “MAXEXPRESS” dhe në vendin e tretë ai “MUÇAÇO” . 

Këshilli organizativ i këtij turniri  në mënyrë që ta ruajë origjinalitetin bëri edhe shpalljen e lojtarit më të mirë. Ky epitet kësaj radhe i takojë Adnan Mehmetit të ekipit “SHQIPONJA” kurse portieri më i mirë u shpall Ridvan Mjaku i skuadrës”MAXEXPRESS” .    

Meqë jemi në prag të Krishtlindjeve ,dhe festës së Vitit të Ri u mor vendim që të formohet një komision i cili do të shkojë në vendngjarje dhe do ta studiojë gjendjen faktike të kësaj familje në nevojë.  Pastaj  bashkërisht do të gjenden metodat e shfrytëzimit të kësaj ndihme të organizuar nga ky grup bashkatdhetarësh   zemërmirë.

 

Arif Ejupi