Lajme
Një dritare e re për gjuhën shqipe në Zvicër, hapet klasa e re në Buchrain të Lucernit
Të hënën, më 14 prill 2025, në ambientet e shkollës HLB (Hinterleisbach) në Buchrain të kantonit të Lucernit, u hap zyrtarisht një klasë e re për mësimin e gjuhës shqipe, pjesë e rrjetit të “Shkollës Shqipe” në Zvicër. Në klasën e parë morën pjesë 12 nxënës, të shoqëruar nga prindërit e tyre dhe mësuesit, në një atmosferë të mbushur me emocione dhe krenari.
Kjo iniciativë, që po përhapet gjithnjë e më shumë nëpër kantonet zvicerane, vjen si rezultat i punës së palodhur të komunitetit shqiptar dhe përkushtimit të institucioneve që punojnë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë. Prindërit shprehën falënderime për organizatorët dhe veçanërisht për “Shkollën Shqipe në Zvicër”, e cila po bën të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e nënës, edhe pse të lindur dhe rritur larg vendlindjes, transmeton albinfo.ch.
Klasa u përurua me aktivitete të ndryshme, ku fëmijët recituan vjersha, kënduan këngë dhe dhanë përgjigje në shqip, duke krijuar për disa çaste atmosferën e një klase të zakonshme në Shqipëri apo Kosovë. Emocione të forta përjetuan edhe prindërit, të cilët ndoqën nga afër orën mësimore dhe u informuan mbi detajet e organizimit të klasës.
Mësuesja Lumnije Klinaku-Neziri falënderoi në mënyrë të veçantë Vaxhid Sejdiun për mbështetjen në aspektin administrativ dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm për zgjerimin e mësimit në gjuhën shqipe në kantonin e Lucernit.
Gjatë takimit u prezantua edhe mësuesja e re, Festina Bërdynaj, e cila do të mbajë orët e mësimit me këtë grup. Ajo u zotua se do të punojë me përkushtim për të ndihmuar nxënësit të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën e tyre amtare.
Mësimi në këtë klasë do të zhvillohet çdo të hënë, nga ora 17:30 deri në 19:15, deri në përfundim të vitit shkollor 2024/2025 në muajin korrik.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në Gjermani Është gjetur pa shenja jete trupi i Agim N. me banim në Wels të Austrisë, i... -
Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare -
Vonesë në votimin me postë për diasporën -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Konsullja e Kosovës, pjesëmarrëse në ceremoninë “Escalade” në Gjenevë
Jeta në Zvicër
-
Pse në Zvicër po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndërroni banesë? Në Zvicër, gjithnjë e më pak njerëz po ndërrojnë vendbanim. Sipas të dhënave të Zyrës Federale... -
Zvicër: Hyn në fuqi marrëveshja e re kolektive kombëtare e ndërtimit -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Banorët e evakuuar të Brienzit mund të rikthehen të shtunën -
Qeveria zvicerane thotë se të burgosurit e huaj duhet të marrin sigurim shëndetësor













