Lajme

Një aeroplan me udhëtarë vjen nga Prishtina në Vjenë dhe vazhdon për në Cyrih

Më 27 prill një aeroplan nga Kosova do të sjellë në Austri personat, të cilët për shkak të pandemisë kanë mbetur atje. I njëjti aeroplan më pas do të vazhdojë me pjesën tjetër të udhëtarëve për në Cyrih.

Pandemia Korona ka anuluar të gjitha fluturimet e rregullta nga Prishtina për në Vjenë dhe anasjelltas.

Megjithatë, autoritetet austriake kanë lejuar që të fluturojë një aeroplan i zbrazët për në Kosovë për të sjell në Austri personat të cilët për shkak të pandemisë kanë mbetur atje.

Kështu që, të hënën e ardhshme, më 27 prill në orën  15:50 një aeroplan zviceran i kompanisë “Chair Airlines” do të niset nga Prishtina dhe do të zbresë në Schwechat, në aeroportin e Vjenës, Pas një ndalese të shkurtër në kryeqytetin austriak, pjesa tjetër e pasagjerëve do të fluturojnë me të njëjtin aeroplan për në Cyrih, njofton austrianaviation.net, përcjell Albinfo Austria.

Në anën tjetër Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, disa ditë më parë ka njoftuar për fluturimet që janë planifikuar për këtë muaj.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ANP’ja ka bërë me dije se do të jetë një fluturim Ankara-Prishtinë më 21 prill, Prishtinë-Dusseldorf më 24 prill dhe dy fluturime më 27 prill, njëri për në Vjenë e tjetri për Cyrih.

“Për fluturime në kthim ju lusim që të adresoni pyetjet tuaja në Ambasadën e Kosovës në shtetin ku ndodheni, ndërsa për bileta kontaktoni drejtpërdrejt Kompanitë Ajrore dhe Agjencionet e udhëtimit”, thuhet në njoftimin e aeroportit të cilën e e transmeton Albinfo Austria.