Lajme

Një aeroplan i vogël u rrëzua mbi Grenchen SO, vdes piloti

Në Grenchen SO, një aeroplan i vogël u rrëzua pranë aeroportit të dielën. 11 parashutistë kanë arritur të shpëtojnë veten, por piloti vdiq në aksident, transmeton albinfo.ch.

Policia kantonale e Solothurnit konfirmoi incidentin, teksa sipas raportimeve aeroplani i përket qendrës së parashutizmit Skydive Grenchen.

“Të gjithë parashutistët ishin në gjendje të largoheshin nga avioni dhe të uleshin në mënyrë të sigurt”, thuhet në faqen e kompanisë, ndërsa siç shpjegoi Jürg Stoll, kreu i shkollës së parashutizmit, në përgjigje për Blick, njëmbëdhjetë parashutistë dhe piloti ishin në bord.

Harta e radarit ADS-B Exchange tregon gjithashtu se si avioni humb papritur dhe shpejt lartësinë. Brenda një minuti thuhet se ka humbur më shumë se 3000 metra. Avionët Pacific Aerospace P-750 XSTOL përdoren përgjithësisht për kërcime me parashutë.

Ndryshe, ekziston një aeroport i rëndësishëm rajonal në Grenchen SO. Sipas operatorit, Aeroporti Grenchen sheh rreth 60,000 lëvizje fluturimesh në vit. Aeroplani u rrëzua në një fushë aty pranë, teksa në shërbim ishin forca të shumta policie, zjarrfikëse dhe ambulanca.