CH-Ballkani

Niset treni rus nga Beogradi

Treni do të operojë në itinerarin Beograd-Mladenovac-Lapovo-Kragujevac-Kraljevo-Rashka-Mitrovicë. Treni pritet të kthehet nga Mitrovica në Beograd nesër në 10.40 orë

Serbët nuk lëshojnë pe. Përkundër paralajmërimeve nga ana e Prishtinës, treni rus, i stolisur me simbole kundër Kosovës është nisur nga Beogradi, shkruan albinfo.ch.

Ky është një udhëtim promovues i linjës Beograd – Mitrovicë që do të nisë për udhëtarë nga 20 janari deri në 26 shkurt. Pas kësaj do të vendoset nëse do të bëhet një vijë e rregullt, kanë raportuar mediat serbe.

Treni do të operojë në itinerarin Beograd-Mladenovac-Lapovo-Kragujevac-Kraljevo-Rashka-Mitrovicë. Treni pritet të kthehet nga Mitrovica në Beograd nesër në 10.40 orë.

Nëpërmjet një njoftimi për media të Zyrës së ministres për Dialog, Edita Tahiri, bëhet me dije se si ajo ka kërkuar nga BE-ja që “ta ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës”.

Ndërkohë, mësohet se policia e Kosovës nuk ka urdhër për të ndalë këtë tren, kurse treni pritet të arrijë në Mitrovicën Veriore rreth orës 18:30.

Opozita në Kosovë ka reaguar ashpër, duke thënë se ky tren assesi nuk guxojë të hyjë në Kosovë, dhe duhen të ndërpriten bisedimet me Beogradin.