Integrimi

Nis zbatimi i projekteve të para për diasporën

Kanë filluar së zbatuari katër pilot projekte në fushën e të drejtave politike, në fushën e investimeve, të shëndetësisë dhe të komunikimit për diasporën

Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD), në kuadër të projektit „Diaspora për Zhvillim” (DFD)  që financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim  (DEZA-DDC), ka filluar së zbatuari katër pilot projekte në fushën e të drejtave politike, në fushën e investimeve, të shëndetësisë dhe të komunikimit për diasporën.

Pilot projektet në fjalë do zbatohen nga disa organizata joqeveritare në Kosovë dhe diasporë. Në një bashkëbisedim me albinfo.ch, udhëheqësi i projektit “Diaspora për Zhvillim” (DFD), Elbasan Morina, ka ofruar detaje për mënyrën e realizimit praktik të këtyre 4 projekteve.Dy projekte që kanë të bëjnë me diasporën do të gjejnë zbatim vetëm në Kosovë. 

Bëhet fjalë për projektin për të drejtat politike apo për një përfaqësim të drejtë të diasporës në vendimmarrje në Kosovë.

Realizatorët e projektit do të bëjnë një hulumtim në 10 vende të ndryshme të botës që përballen me situata të ngjashme si në Kosovë, por që kanë avancuar në këtë proces.

Hulumtimi që pritet të përfundojë në fund të prillit do të prezantohet para përfaqësuesve të diasporës dhe autoriteteve kosovare.

„Rezultati i hulumtimit do të prezantohet edhe për institucionet në Kosovë që merren me hartimin dhe zbatimin e politikave, me theks të veçantë Ministrisë së Diasporës, të cilës në fund do t’i dorëzohen si rekomandime nga ana e projektit“, thekson Elbsan Morina. 

„Qëllimi i këtij hulumtimi në 10 shtete është të nxirren praktikat më të mira në fusha të ndryshme që lidhen me përfaqësimin e diasporës, siç janë: votimi elektronik apo i drejtpërdrejtë, sa vende të rezervuara duhet t’i sigurohen diasporës, cilat janë mënyrat e realizimit në praktikë të këtij procesi, si do të bëhet zgjedhja e përfaqësuesve, nga cilat vende dhe shumë pyetje të tjera do marrin përgjigje nga ky hulumtim“, bën të ditur Elbasan Morina. 

Hulumtimin është mandatuar ta realizojë organizata joqeveritare kosovare “Qendra për Politika dhe Avokim”.Përzgjedhja e kësaj organizate ka dalë si rezultat i një procesi transparent i punëtorive të mbajtura në Kosovë dhe Zvicër dhe është zgjedhur si propozimi më i mirë. Në këtë hulumtim do të marrin pjesë dy hulumtues nga Kosova dhe një nga diaspora në Zvicër.Hulumtuesit thuhet se kanë qenë aktivë gjatë verës  në punëtoritë e projektit „Diaspora për Zhvillim“. 

Njëri prej projekteve i dedikohet bisneseve, përkatësisht shkëmbimit të përvojave ndërmjet bizneseve Kosovë – Zvicër. Ky projekt ka për qëllim të ndihmojë krijimin e marrëdhënieve më të mira në mes të bizneseve në Kosovë dhe atyre të diasporës – Zvicër.Sipas Elbasan Morinës, projekti ka për qëllim krijimin e kanaleve zyrtare të komunikimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës në fushën e biznesit. 

„Konkretisht bëhet fjalë për një nismë për të themeluar një asociacion të biznesmenëve në Zvicër si mekanizëm dhe platformë e komunikimit dhe e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e biznesit. Ka pasur shumë inciativa për shkëmbim përvojash, por rezultatet jo gjithherë kanë qenë të kënaqshme“, tregon Morina.

Qëllimi është që biznesmenët në Zvicër të njoftohen për iniciativat dhe potencialet për të bërë biznes me homologët e tyre në Kosovë, por edhe për të investuar atje, e që kryesisht ka të bëjë me shpërndarjen e informacionit në fushën e biznesit. 

Projekti do të realizohet në dy faza. Gjatë fazës së parë janë caktuar 3 persona nga punëtoritë e mbajtura në Zvicër që të lobojnë dhe të informojnë biznesmenët në diasporë për këtë iniciativë. 

Faza e dytë pas themelimit të asociacionit të biznesmenëve do t’i kalohet një organizate joqeveritare në Kosovë.”Aleanca Kosovare për Biznes” do zbatojë fazën e dytë, ku parashihen vizita të bizneseve nga diaspora në Kosovë me qëllim të njohjes nga afër me mundësitë për investime dhe takime me biznesmenët lokalë në Kosovë“, bën të ditur Elbasan Morina detajet për implementimin e projektit për shkëmbimin e përvojave ndërmjet bizneseve Kosovë – Zvicër.

Ai thotë se interesimi i bizneseve duhet të jetë i madh, pasi, sipas tij, deri tani kanë munguar mekanizma institucionalë për koordinimin e aktiviteteve edhe në fushën e biznesit.

„Ky është hapi i parë drejt krijimit të marrëdhënieve më të mira mes diasporës dhe Kosovës në fushën e biznesit“, thotë Morina. 

Në projektet dedikuar diasporës kanë zënë vend edhe mantelbardhët, përkatësisht formimi i një shoqate të profesionistëve mjekësorë në Zvicër. Ky projekt ka për qëllim formimin e një asociacioni të profesionistëve shëndetësorë në diasporë-Zvicër, për qëllimet e shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave të tyre në Kosovë.

„Kosova aktualisht shpenzon shumë mjete financiare për trajtim të pacientëve jashtë shtetit dhe kjo kryesisht në mungesë të mjeteve moderne, por edhe ekspertizës lokale. Ne besojmë se në diasporë ka mjaft profesionistë në fusha të ndryshme që mund të vihen në shërbim të përmirësimit të situatës aktuale“, nënvizon Elbasan Morina.

Asociacioni i profesionistëve shëndetësorë në diasporë-Zvicër do të jetë një adresë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera në Kosovë.

„Profesionistët shëndetësorë do të ndihmojnë autoritetet në Kosovë edhe në hartimin e politikave shëndetësore sipas standardeve ndërkombëtare, sidomos në fushën e sigurimeve shëndetësore, për të cilat Kosova sigurisht që ka mungesë të ekspertëve dhe të tillë janë shumë në diasporë“, thotë Morina. 

Morina pohon se diaspora është neglizhuar me vite që, sipas tij, ka ndodhur kryesisht për shkaqe të cilat Kosova i ka kaluar nëpër fazën e shtetndërtimit dhe jo shumë vëmendje i është kushtuar diasporës.

„Tani flasim për një kohë tjetër dhe kemi shumë argumente që flasin në drejtim të njohjes së kontributit të diasporës dhe themelimit të marrëdhënieve në mënyrë institucionale me diasporën, siç janë themelimi i Ministrisë së Diasporës, zyrave ndërlidhëse me diasporën nëpër komuna, ligjit për mërgatën etj., të cilat janë nisma konkrete dhe serioze në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe diasporës“, tha udhëheqësi i projektit “Diaspora për Zhvillim”, Elbasan Morina. 

Do të zbatohet edhe një projekt për përmirësimin e komunikimit diasporë-Kosovë. Edhe ky projekt rezulton nga hulumtimet e punëtorive në diasporë dhe Kosovë.

„Diaspora shumë shpesh nuk informohet fare ose pak për zhvillimet në Kosovë, duke i përjashtuar zhvillimet politike, të cilat kryesisht mbulohen nga mediat e shkruara dhe elektronike, por mungojnë informacione të nivelit lokal. Ky projekt ka për qëllim hulumtimin e kanaleve të komunikimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës dhe të japë rekomandime sesi duhet përmirësuar kjo situatë“, thekson mes tjerash Elbasan Morina. 

Ky projekt do të zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, më konkretisht, dy hulumtues nga Kosova dhe një nga portali albinfo.ch.

Gazetarët do të nxjerrin analiza dhe rekomandime për përmirësimin e komunikimit dhe informimit në mes të Kosovës dhe diasporës. 

Idetë e projekteve kanë lindur nga punëtoritë e organizuara nga DfD, të cilat janë mbajtur në Zvicër dhe Kosovë, në 4 tema: Promovimi i investimeve, të drejtat politike të diasporës, sistemi shëndetësor dhe martesat e detyruara. Përzgjedhja e temave është bërë nga vetë diaspora, të cilat nëpërmjet portalit albinfo.ch kishin mundësi të votonin më shumë se 12 tema, të cilat ata i shihnin si shqetësuese në raport me Kosovën. 

Nga 12 projekt-propozimet e dala nga këto punëtori, 4 prej tyre u përzgjodhën të zbatohen në fazën pilotuese prej 6 muajsh. 

Nëse si të tilla dëshmojnë për një përmirësim të situatës dhe bashkëpunim të ngushtë mes diasporës dhe Kosovës, projektet mund të kenë një vazhdimësi edhe më të gjatë, pa i përjashtuar edhe mundësitë për projekte të tjera, të cilat janë konform qëllimit të përgjithshëm të projektit “Diaspora për Zhvillim” (DFD).

Sevdail TAHIRI