Kosova

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B, R.K, G.SH, A.A,  L.M dhe E.H.

Prokuroria njofton se ndaj të pandehurve B.B, R.K e G.SH, ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”,  lidhur  me veprën penale  ”kryerja e veprës terroriste”, veçmas ndaj të pandehurit B.B është për veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”,  e G.SH është për veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”.

“Ndërkaq, ndaj të pandehurës E.H, Prokuroria Speciale  ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 paragrafi 1 lidhur  me veprën  penale  “kryerja e veprës terroriste nga neni 136 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Po ashtu, ndaj të pandehurve A.A dhe L.M, PSRK-ja, ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “mos lajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe veçmas ndaj të pandehurit L.M edhe për shkak të veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll  ose posedim të paautorizuar të armëve.