Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj 5 personave mes hetimeve në Parlamentin Evropian për ryshfet

5 personave iu është ngritur aktakuzë nga Prokuroria belge në lidhje me një hetim në vazhdim për korrupsionin e dyshuar brenda Parlamentit Evropian.

Katër nga të dyshuarit, sipas prokurorisë, përballen me akuza, përfshirë korrupsionin aktiv, ndërsa personi i pestë akuzohet për pastrim parash.

“Pas arrestimit, katër të dyshuarit kryesorë janë lënë në paraburgim. I dyshuari i pestë është liruar me kusht”, thanë prokurorët.

Hetimet janë të lidhura me pretendimet se gjiganti kinez i teknologjisë, Huawei, u përpoq të ndikonte në mënyrë të padrejtë në vendimmarrjen brenda BE-së, përcjell albinfo.ch.

Përdorimi i teknologjisë kineze në komunikimet celulare perëndimore ka qenë një temë e nxehtë debati prej vitesh.

Kritikët e Huawei kanë frikë se Kina mund të fitojë akses në rrjetet celulare përmes kompanisë.

Të hënën, autoritetet belge kryen kontrolle të mëtejshme në zyrat e Parlamentit Evropian në Bruksel, disa prej të cilave ishin vulosur më parë.

Javën e kaluar u zbulua se rreth 100 oficerë policie kryen 21 kontrolle shtëpish në Belgjikë dhe Portugali, si pjesë e hetimeve për ryshfet dhe falsifikim të dyshuar.

Gjatë këtyre kontrolleve u arrestuan përkohësisht disa persona.