Shkurt.ch

Ngrihet padia ndaj ish deputetit Zuppiger

Prokuroria kërkon 13 muaj burg me kusht për deputetin e dorëhequr të SVP-UDC-së

Bruno Zuppiger së shpejti do të përgjigjet para gjyqit për përvetësim parash. Prokuroria e Përgjithshme e Cyrihut kërkon 13 muaj burg me kusht për deputetin e dorëhequr të SVP-UDC-së në Parlamentin Federal të Zvicrës.

Politikani Zuppiger ngarkohet se e ka shtyrë pagesën e trashëgimisë prej 265 mijë frangash që i takonte një ish bashkëpunëtoreje në firmën e tij Zuppiger&amp. Ai, sipas padisë, kishte bartur në konton e tij 100 mijë franga nga kjo shumë.

Veç Zuppiger-it, i paditur në këtë lëndë është edhe një ish punëtor i firmës së tij.

Zuppiger kishte dhënë dorëheqjen nga posti i deputetit, në muajin shtator.

Në vitin 2011 ai ka qenë kandidat edhe për postin e ministrit (këshilltarit federal), por, pas zbulimit nga revista “Weltwoche” të aferës së parave, ai qe detyruar të tërhiqte kandidaturën.