Futboll

Ngec kalimi i Albian Ajetit në Celtic

Kalimi i yllit të West Ham, Albian Ajeti, në Celtic, ka ngecur, pasi sulmuesi shqiptar i ka kërkuar klubit anglez më shumë kohë për t’i vlerësuar mundësitë që i janë ofruar.

Përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës pritej t’u nënshtrohej testeve mjekësore me kampionin skocez të mërkurën, por qëndroi në Zvicër, sepse kishte nevojë për më shumë kohë për të menduar.

Të hënën Celtic u pajtua me West Hamin për ta marrë Ajetin në huazim njëvjeçar.

Marrëveshja mes klubeve përfshin mundësinë për ta blerë atë për një shumë mbi 5 milionë euro.

Kampioni skocez ka treguar interesim të madh për Ajetin që prej verës së kaluar, para se ai t’i bashkohej West Hamit për rreth 10 milionë euro nga Baseli.

Një numër klubesh në Premierligë janë të interesuara për shqiptarin, përfshirë West Bormin, prandaj ai ka kërkuar kohë për të menduar se cili është opsioni më i mirë për të.