Kosova
Nga Zvicra në Kosovë, për të marrë vajzën më të bukur për nuse
Martesa cilësohet si një akt i shenjtë, të cilit njeriu vendos t´i përkushtohet gjatë jetës. Një rrugëtim të tillë për të bërë ketë akt e morën këtë verë edhe Vlera me Albinin. Dy të rinj, që dashurinë e nisën nga viti i kaluar dhe e kurorëzuan me një dasmë të madhe në korrikun e kësaj vere, në Prishtinë.
Sallë me plot njerëz, duartrokitje, ngazëllimi i fytyrës së nënës kur sheh vajzën në fustanin e bardhë, si princeshë, lot gëzimi në sytë e motrave. Këto janë vetëm disa prej momenteve që Vlera Emini i kujton nga fillimi i një nate që do t`i ndryshonte jetën krejtësisht.
Ishte fundi i vitit 2020 kur Vlerës familja ia prezantoi një djalosh të ri, 20-vjeçar.
Ishte Albin Quni, i cili tashmë kishte vite që po jetonte në Gjenevë të Zvicrës. Albini e ndjeu qysh në fillim se donte të ishte afër Vlerës. Ai e dëgjoi zemrën. Nuk hoqi dorë, dhe këmbëngulja e tij bëri që sot ata të jenë bashkë.
Albini në Kosovë, për t´u njohur me Vlerën
Takimet e para nuk janë kurrë të lehta. Plot emocione për Albinin, kur përpara i doli një vajzë zeshkane, me flokë kaçurrela, e bukur sa më s´ka. Ndjesitë e para, për albinfo.ch i tregon vetë Albini. Madje, nuk heziton të tregojë detaje edhe për kohën që iu desh për ta bindur Vlerën të ishin bashkë.
“Më parë nuk jemi njohur, na kanë prezantuar familjet. Meqë më thanë familja, pranova të dal me Vlerën. Ishte tetori i vitit 2020 kur jemi takuar. Vlera në fillim nuk ishte e pajtimit të vazhdonim bashkë. Por, nuk jam tërhequr, dhe vetëm në gusht të vitit 2021 ka pranuar prapë që të shihemi. Aty Vlera më bëri me dije që ka ndryshuar mendje”, rrëfen Albini.
Lidhja e çiftit kishte vazhduar gradualisht, duke e njohur njëri-tjetrin, në shumë raste edhe në largësi. Vlera në Kosovë, Albini në Zvicër. Megjithatë, djaloshi kishte udhëtuar disa herë për ta takuar vajzën me të cilën tashmë ishte lidhur. Kështu, ata e panë të arsyeshme që të vendosin për datën e martesës.
Albini tregon në detaje se si e kishte bërë Vlera për vete, që ai të mos largohej nga ajo.
“Në fillim i kemi biseduar gjërat mirë, çka na pëlqen, e çka jo. Vlera më ka bërë për vete me sinqeritetin që ka. Nuk kemi pasur shumë mospajtime. Qysh në fillim i kemi dhënë hapësirë vetes që ta njohim njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, e kemi kuptuar se të dy pëlqehemi shumë. Te vendimi për martesë erdhëm pas bisedave bashkë, meqë donim të bashkoheshim sa më shpejt, ngase unë nuk jetoja në Kosovë. Kemi folur gjatë se a jemi të gatshëm për martesë dhe pastaj kemi vendosur për datën”, ka thënë Albini.
Organizimi i dasmës – salla, muzika
Më shumë se gjashtë muaj organizim janë dashur për dasmën marramendëse të çiftit. Salla, ushqimi, muzika, veshjet e nuses, të dhëndrit, ftesat e mysafirëve, dekoret, e çka jo. I gjithë ahengu u mbajt në një nga sallat më të mëdha për dasma në Kosovë, ku ishin pjesëmarrës rreth 400 mysafirë.
Vlera ka treguar se një nga sfidat më të mëdha ishte gjetja e një salle të lirë, ngase shumica ishin të zëna për gjithë sezonin.
“Fillimisht sigurisht që kemi vendosur për datën e martesës, sepse familjarët e Albinit janë të gjithë jashtë Kosovës. Për këtë arsye është dashur një datë e përshtatshme me sallën që na duhej, sepse datat ishin të zëna, kështu që e kemi zgjedhur 11 korrikun meqë ishte i lirë. Por, ia ka vlejtur sepse gjithçka ka shkuar mirë, si nga mikpritja e stafit, pastaj muzika, shërbimi i ushqimit etj.”, ka thënë Vlera.
Ndërsa, Albini ka treguar për zgjedhjen e muzikës. Ai ka thënë se për t´i argëtuar me këngë gjatë natës së dasmës kishin zgjedhur Dulin dhe Shkurte Gashin.
“Për muzikën e kemi zgjedhur Dulin dhe Shkurte Gashin. I kishim dëgjuar në dasma të tjera dhe na kanë pëlqyer si opsione. Ata i zgjodhëm për t’u argëtuar ne dhe të ftuarit”, ka thënë ai.
3 vellot nga Valdrin Sahiti dhe veshja kombëtare e çiftit
Nata më e bukur e jetës patjetër që do të ishte speciale për Vlerën. Sigurisht që nuk do t`i mungonin as fustanet e punuara në mënyrë aq unike nga disenjatori i njohur kosovar, Valdrin Sahiti.
3 vellot që u blenë, Vlera thotë që e bënë të ndjehet fiks si princeshë.
“Në dasmën time kam pasur 3 vello nga Valdrin Sahiti. Arsyeja pse i zgjodha pikërisht ato është që janë shumë të bukura dhe unike. E ndjeja veten shumë rehat dhe me të vërtetë më kanë bërë të ndjehem si princeshë në ditën më të bukur të jetës time”, ka thënë ajo.
Por, këto nuk ishin të gjitha veshjet e Vlerës. Ajo bashkë me Albinin kishin vendosur që të vishen edhe me veshje kombëtare.
“Ne jemi popull me tradita dhe kishim dëshirë që të fusim edhe elemente të kësaj pjesë në dasmën tonë. I kishim pa këto veshje bashkë me vjehrrën dhe na pëlqyen shumë. Vendosëm që me ato me u prezantua në dasmë. Kemi mbajtur një shfaqje, ku kemi vallëzuar bashkë me Albinin dhe me mysafirët me muzikë tradicionale”, ka sqaruar tutje ajo.
Ardhja në Zvicër, planet e të ardhmes
Ardhja e Vlerës në Zvicër nuk ka vonuar shumë. Albini ka treguar se ka kryer menjëherë përgatitjen e dokumenteve dhe nuk janë ballafaquar me probleme të këtij aspekti.
Ndërkohë, ai ka thënë se po e shijon martesën me Vlerën me plot mirëkuptim për njëri-tjetrin.
“Jemi shumë të lumtur që tashmë jemi bashkë dhe po kuptohemi shumë mirë, tani po e vazhdojmë jetën. Tani për tani, unë po vazhdoj të punoj tek kompania e prindit tim, është një firmë që kryen shërbimet për renovime të ndërtesave të ndryshme. Kurse, Vlera fillimisht po angazhohet që ta mësojë gjuhën, sepse në të ardhmen do të punësohet”, ka thënë Albini.
Ndërsa, gjetja e Vlerës në një shtet tjetër, me gjuhë dhe kulturë tjetër, larg familjes, nuk ka qenë e lehtë. Fillimi ka qenë i vështirë që të ambientohet në Gjenevë.
“Sigurisht që në fillim kam pasur mërzi nga shkaku i familjes, mirëpo më ka ndihmuar Albini dhe familja e tij që këtë ta kaloj sa më lehtë. Tani them se jam ambientuar”, ka treguar ajo.
Çifti i ri po jeton në Gjenevë të Zvicrës dhe planet e tyre janë që të vazhdojnë të punojnë dhe në një të ardhme të krijojnë familje.
Sa ka kushtuar dasma
Çifti ka treguar se para dasmës kanë mbajtur për dy net rresht ndeja në shtëpi, me muzikë live. Përfshirë ahengjet, dasmën dhe gjitha organizimet që kërkojnë ato, ata kanë shpenzuar rreth 80.000 euro.
Autore: Rozafë Rexhepaj
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor