Lajme
Nga vizita e Siujdhesës së Galipolit, Çanakkala
Rikthimi i mbamendjes historike
29 maj 2023. Mot i vrenjtur dhe vetëm sa s’kishte nisur shiu. Pasi morëm informacionet e duhura, iu afruam portit të qytetit të Çanakkalasë dhe me veturë hipëm në trajekt për të udhëtuar drejt Siujdhesës së Galipolit, atje ku ishte zhvilluar një ndër betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore, e njohur si Beteja e Çanakkalasë.
Sa e sa herë e kisha dëgjuar këngën për Çanakkalanë, sa ndjesinë ma kishte ngjallur, duke mos pasur idenë se ku kishte ndodhur një ngjarje e tillë aq e dhembshme për historinë njerëzore, e veçanërisht edhe për fatin tonë. Kur më vonë kisha mësuar për këtë ngjarje, kurrsesi të hiqja nga mendja mundësinë e një vizite të këtij lokaliteti historik, prandaj sot po e realizoja.
Madhështia e kujtimeve
Në brigjet e Ngushticës së Dardaneleve, duke udhëtuar në të majtë nga pika e ankorimit, ndeshesh me kalanë në formë të një lloj pjate, nga e cila, sipas disa vendësve, ka marrë emrin edhe qyteti i Çanakkalasë. Sado që nuk m’u duk fort bindëse, një motiv i tillë kishte përligjje.
Ushtari me një predhë në dorë ishte statuja e radhës, e vendosur buzë bregdetit, e cila simbolizonte rezistencën e pamposhtur të ushtarëve turq dhe të koalicionit.
Varrezat e ushtarëve të rënë dëshmorë, me një memorial në qendër, ishte pika e radhës. U ndalëm kur përballë na doli një pamje madhështore: në një sipërfaqe të madhe, e mirëmbajtur, plot me trëndafila ngjyrë gjaku dhe lule të tjera, në struktura mermeri ishin radhitur në formë të rrumbullakët tabelat me emrat e ushtarëve të rënë, e skaj tyre ishin renditur kujdesshëm gurë të gdhendur me emrat e vendbanimeve të ushtarëve të rënë, e ndër ta edhe të shqiptarëve nga Kosova, si Prishtina, Mitrovica, Prizreni, pastaj nga Manastiri, Elbasani, Shkupi etj.
Një ndjesi e veçantë m’u ngjall ato çaste. Një respekt të thellë ua dedikova atyre viktimave, ama shumë paqartësi më silleshin nëpër mendje! Si kishin arritur këta ushtarë shqiptarë këtu: të ardhur vullnetarisht, apo të mobilizuar dhunshëm! Kisha lexuar diku se po, edhe të mobilizuar nga organet e pushtetit të atëhershëm shumë rekrutë shqiptarë ishin sjellë në Çanakkala pa vullnetin e tyre dhe ndaj tyre duhet pasur mirëkuptim. Po pjesa tjetër e vullnetarëve, a thua në emër të cilës kauzë kishin ardhur?! Atë kohë shqiptarët vetëm sa e kishin shpallur pavarësinë, sado që shteti ende nuk kishte kufij të qartë, kur kishin një mijë arsye të tjera të luftonin në mbrojtje dhe çlirim të trojeve shqiptare, të vije për të luftuar në Çanakkala, sikur nuk po gjeja arsye… Vërtet, për t’u çuditur!
Nuk mendova më tutje, po largohesha nga ai kompleks varrezash duke lënë mbrapa një qetësi të amshueshme dhe vijova rrugën drejt pikës së radhës, Spitalit muze të ushtarëve të plagosur në luftë.
Një ndjenjë tjetër, të papërshkrueshme, po përjetoja këtu: një kompleks i rrethuar me mure, me shtigje të përcaktuara, me spitalin në ballë dhe me shumë objekte të tjera që paraqisnin aq të gjallë atmosferën e luftës! Spitale fushore të improvizuara me figura ushtarësh të monumentuara nga bronzi sikur e kishin ringjallur realitetin e kohës, për ta përjetësuar si memorie historie për gjeneratat. Krejt ato pamje, të shoqëruara me zë, të rikthenin atmosferën e luftës në mënyrën më besnike të mundshme dhe, njëkohësisht përcillnin në vetëdijen tonë idenë e pasojave tragjike të luftës, e që domosdoshmërisht nuk ke si të mos shtrosh pyetjen: si është e mundur, me gjithë vuajtjet, shkatërrimet dhe viktimat e luftërave të mëparshme, nga njëra anë dhe emancipimin, arsimimin dhe zhvillimin e gjithanshëm, me nivelin aktual të civilizimit, nga ana tjetër, udhëheqësit e botës së sotme të mos tregojnë vetëdijen e duhur në raport me njerëzimin?! Defekte të mëdha janë këto: asnjë arsye madhore nuk qëndron më lart se njeriu, e megjithatë, padrejtësitë, imponimi, dhuna dhe shkatërrimet vijojnë…
Pika tjetër ishte memoriali i ushtarëve të rënë turq, i cili ngrihej lart dhe qëndronte krenar në cep të siujdhesës, nga ku e shihje tërë detin në horizont. Një ambient i rregulluar mrekullueshëm, me pisha të larta, nën të cilat ishin renditur me shije varrezat e ushtarëve të rënë, të linte përshtypje me rregullin, rendin dhe madhështinë. Ky vend ishte pikë kryesore e vizitorëve vendës (gjithsesi edhe të huaj). Atë ditë me dhjetëra autobus me nxënës të shkollave të ndryshme turke kishin ardhur ta vizitonin, ku ciceroni u fliste për rezistencën mbinjerëzore dhe fitoren madhështore të ushtrisë turke atë kohë.
Memoriali i ushtarëve të rënë francezë ishte pika e radhës e vizitës sonë. Një ambient i rregulluar dhe i mbajtur mirë, me emrat e ushtarëve francezë të linte përshtypjen e një kujdesi institucional shtetëror për të ruajtur memorien historike, edhe pse ushtri humbëse…
Gjithashtu edhe memoriali gjigant i ushtarëve britanikë të rënë në atë betejë reflektonte madhështi. I ndërtuar i tëri prej guri të gdhendur dhe me stil, muret e jashtme ishin mbështjellë me pjesë mermeri, në të cilët ishin skalitur emrat e ushtarëve, pjesëmarrës në këtë luftë, të cilët kishin rënë në këtë betejë humbëse. Megjithatë, memoriali rrezatonte sa idenë e kujtimeve institucionale për të rënët, po aq idenë e ruajtjes së paqes njerëzore!
Kur kthimi lë vragë…
Gadishulli kishte edhe shumë memorialë të tjerë të të rënëve atë kohë, të cilët përkujtonin tmerret e kohës, por që të mbushnin me idenë e çmimit të lirisë. Dhe, kur po kthehesha drejt pikës së ankorimit të trajektit, një ndjesi e çuditshme m’u ngjall dhe më rëndonte gjithnjë e më shumë. Kanë mjaftuar vuajtjet, shkatërrimet dhe viktimat e Luftë së Parë Botërore që të mos ndodhte as Lufta e Dytë Botërore, e le pastaj luftërat e tjera në rajone të ndryshme të botës. Si duket, luftërat janë mallkim i pashmangshëm për njerëzimin, e paqja e përhershme, mision i pamundur!
Në atë shumësi historish për këtë vend, diçka është e pakontestueshme: e vërteta e tmerreve të luftës. Dhe, gjithashtu, pse jo: lartësia e rezistencës dhe e guximit për të vdekur, si ideale të mosnënshtrimit.
Thjesht, këtu gjen të vërtetën e së kaluarës, ngase këtu nuk ka trillim!
Megjithëse realitet që lë vragë, të mbushë me frymëzim njerëzor dhe të fton që ta vizitosh përsëri!
Autor: Muhamet Reçica
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?