Kosova

Nga sot, orari i lëvizjes zgjatet deri në orën 20:00 në Kosovë

Qeveria në detyrë e Kosovës tashmë ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Duhet theksuar se në bazë të këtyre masave nuk është hequr kategorizimi i komunave.

Orari i lëvizjes së qytetarëve si dhe orari i veprimtarisë së lokaleve të gastronomisë është zgjatur.

“Në zonën me operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”, transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”, thuhet në vendim.

Po ashtu, sipas këtij vendimi personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 23.12.2020, në orën 05:00 dhe vlen deri në një vendim tjetër.