Muzikë

“The Daggs“, me këngën “Lumturi”, nga Sicilia arbëreshe

'Lumturi' është kënga e parë që do të lansohet nga albumi i tyre i parë.

Është bërë e ditur se bendi me të rinj arbëreshë, The DAGGS nga Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) do të ofrojë dëfrim shpirtëror me një aftësi spektakulare përmes këngëve të tyre të kënduara në arbërisht, shqipen e paraardhësve tanë, përcjell albinfo.ch.

Bashkëdyzimi i vargjeve të poetit arbëresh Paskal Renda (1955-2014) dhe i mjeshtërisë muzikore të The DAGGS çon në krijimin e një melodie mbresëlënëse, siç përjetohet përmes këngës Lumturi. Kjo këngë përbën edhe videoklipin e parë të grupit arbëresh, i frymëzuar nga një udhëtim nostalgjik e përplot mall nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë dhe do të lansohet më 11 maj 2020.

Lumturi është kënga e parë që do të lansohet nga albumi i tyre i parë. Përderisa bendi pret me padurim të ndajë albumin e tyre me audiencë të gjerë, lansimi i tij është shtyrë për shkak të koronavirusit.

Nuk mjafton vetëm të lexohet për këtë krijimtari të bukur, ajo duhet të dëgjohet patjetër.

BIO – THE DAGGS

“The Daggs” është një grup të rinjsh nga Hora e Arbëreshëvet, qytezë siciliane e themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para pesë shekujsh, në të cilën ende sot është e gjallë gjuha, kultura dhe identiteti arbëresh.

Shkruajnë kështu në gjuhën e stërgjyshërave dhe e përditëshmërisë: arbërisht.

Këngat e tyre janë një nevojë shprehëse. Tregojnë dashuri për rrënjët dhe një identitet gjithmonë në udhëtim, ndër ethnos dhe stil bashkëkohor.

Ata kanë marrë pjesë në Suns Europe (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë Pakicash, Cagliari, 2015) dhe kanë fituar OPP! Festival-in (Favara, 2017). Kanë patur edhe ekpserienca në televizionet shqiptarë (Top Channel, TvKlan, TVSH; Digitalb) dhe italianë (Rai). Në janar 2018 kanë mbajtur një koncert për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, në Pallatin e Brigadave (Tiranë).