Lajme

Nga Samiti i Parisit, 35 milionë € hekurudhën Tiranë-Durrës

Nga marrëveshja e firmosur në Paris, Shqipëria është përfituese e 35 milionë eurove për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës

Shqipëria është përfituese direkte e 35 milionë eurove nga Bashkimi Evropian për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, si edhe i një milionë eurove për ngritjen e Zyra Rajonale të Bashkëpunimit Rinor në kryeqytetin shqiptar. Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas përfundim të Samitit të Parisit.

Në përfundim të Samitit Rama ka njoftuar se 5 vende të rajonit kanë mbështetur propozimin e Shqipërisë për të hequr taksat për shkëmbimet tregtare, kurse ritheksoi përkushtimin e kancelares gjermane dhe presidentit francez për zgjerimin e unionit gjatë viteve të ardhshme.

Sipas kryeministrit shqiptar, nga shtatori shkëmbimet tregtare mes 6 vendeve te Ballkanit, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë do të  jenë të lira dhe të përjashtuara nga taksat.

Në Samitin e Parisit, këto shtete kanë mbështetur propozimin e kryeministrit Edi Rama i cili ka sugjeruar shtrirjen e praktikes që po zbaton Tirana me Prishtinën, për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit ekonomik, përmes tarifave zero.

“Më vjen mirë që u vlerësua lart propozimi i Shqipërisë dhe puna e bërë së bashku me qeveritë e tjera me mbështetjen e rrjetit të zyrave të Bankës Botërore për një plan veprimi për heqjen e barrierave jotarifore dhe lehtësimin maksimal të tregtisë dhe të transportit mes vendeve tona. Është një plan që ne e kemi propozuar nisur nga eksperienca shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një plan i përqafuar menjëherë nga qeveria e Serbisë dhe qeveritë e tjera”, tha ai.

Kryeministri tha se nga kancelarja gjermane Angela Merkel  dhe presidenti francez Fransua Hollond kishte marrë garanci se zgjerimi i BE nuk do të ndalet.

“Jemi të kënaqur që mesazhi ynë për të mos reshtur në procesin e integrimit dhe për të shkuar më tutje padyshim që pati jehonë pozitive, jo në këtë rast thjesht për ndonjë meritë, por thjesht sepse qoftë Kancelarja, qoftë Presidenti Hollande u treguan shumë të vendosur që ta çojmë përpara procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian”, tha Rama citon Oranews.

Nga marrëveshja e firmosur në Paris, Shqipëria është përfituese direkte e 35 milionë eurove për rehabilitimin e hekururdhes  Tiranë-Durrës, nga 85 milionë që është në total vlera e projektit.

Ndryshe në samit u mbështetën edhe dy projektet e tjera që kanë të bëjnë me modernizimin e hekurudhës Nish-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë uro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant prej 17 milionë eurosh.