Shqipëria

Nga qershori Liqeni në Tiranë kthehet në arenë arti

Amfiteatri i Liqenit të Tiranës nga një hapësirë e lënë prej vitesh në degradim të plotë, do t’i rikthehet qytetarëve në një skenë teatrore në natyrë njofton Bashkia e Tiranës.

Punimet janë afër përfundimit ndërsa pjesa e skenës së re teatrore është gati, po ashtu edhe vendi i publikut, sallat teknike, dhomat e zhveshjes, etj thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se nga qershori i këtij viti, Teatri i Hapur, i pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.  Inaugurimi i Teatrit të hapur do të bëhet më 30 maj. Teatri i Hapur pranë Liqenit u inaugurua në pranverën e vitit 1974, duke u kthyer në arenë aktivitetesh, por pas  viteve ‘90 fama e tij erdhi duke u zbehur.