Zhvillim

Nga qershori, 2560 produkteve u hiqet taksa doganore

Pasi të hyj në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asocim në mes të Kosovës dhe BE-së,  qershor 2016, më shumë se 2560 produkte bujqësore lirohen nga taksa doganore

Nga qershori i këtij viti, më shumë se 2 mijë e 560 produkteve bujqësore të përpunuara do t’u hiqen tarifat doganore, ndërsa veturave dhe makinerive të tjera, taksat do t’u hiqen vetëm pas shtatë viteve. Këto tarifa aplikohen vetëm pasi të hyj në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA) në mes të BE-së dhe Kosovës.

MSA e nënshkruar në vitin e kaluar dhe miratuar këtë javë nga Parlamenti Evropian (PE), pritet të hyj në fuqi në qershor të këtij viti, ndërsa sipas njoftimeve zyrtare, 2564 produkte bujqësore të përpunuara, përveç mishit, verës dhe produkteve të sheqerit, do t’i hiqen taksat doganore.

Ndërsa për produktet industriale, përkatësisht veturat dhe makineritë, tarifat doganore janë të përshkallëzuara për shtatë vitet e ardhshme, dhe ato do të lirohen nga tarifa doganore me zero për qind vetëm pas kësaj periudhe kohore.

MSA prodhon dy lloj efektesh materiale dhe procedurale. Tek efektet materiale është tatimi doganor, i cili për një pjesë të mallit do të eliminohet në tërësi, për ato mallra të cilat nuk janë të parapara në anekse, për arsye se në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit janë nëntë anekse dhe pesë protokolle.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për KosovaPress tha se marrëveshja e MSA-së është e ndarë në tre kapituj: Kapitulli industrial, bujqësor dhe peshkataria një lëmë i veçantë.

Te kapitulli industrial ato produkte industriale që nuk janë të parapara në anekse të marrëveshjes janë me zero për qind. Ai tha se ka një kategori të produkteve industriale për të cilat është paraparë që pas katër vjetëve tatimi doganor do të jetë zero për qind. Ky quhet lirimi i shpejtë proporcional.

Te këto lirime vitin e parë tatimi doganor nga dhjetë për qind sa është tani, do të bjerë në tetë për qind. Vitin e dytë do të jetë gjashtë për qind, vitin e tretë katër për qind dhe vitin e katërt dy për qind, ndërsa pas vitit të katërt do të jetë zero për qind.

Stavileci tha se në aneksin e dytë futet lirimi i shpejtë jo proporcional, në të cilin janë produktet industriale, pjesa më e madhe e të cilave prodhohen dhe ne kemi pasur interes t’i mbrojmë.

“Trajtimi i tatimit doganor bëhet kryesisht për tre kapitujt e mallrave për ato industriale, siç janë veturat, produktet bujqësore dhe produktet e qumështit të cilat janë me origjinë evropianë si dhe peshkataria është një kapitull i veçantë. Kjo marrëveshje i mundëson që produktet e BE-së me taks zero për qind ose me taksë të përshkallëzuar e cila vjen duke rënë me kalimin e viteve…”, tha Stavileci.

Ai shtoi se shtatë vjet është koha e maturimit të Marrëveshjes, faktikisht atëherë lirohen nga tarifat doganore edhe ato produkte të cilat kanë taksë, p.sh automjete, që janë produkt për të cilët qytetarët kanë mjaftë interesim.

Stavileci tha se pritet që në qershor kjo marrëveshje për MSA-në të funksionalizohet pasi të kalojnë të gjitha procedurat e parapara. Ai ka treguar edhe për veturat të cilat do të lirohen nga tarifa doganore pas 7 vjetëve, prej 10 për qind në 0 për qind.

“Tek makinat ato do të lirohen nga tatimi doganor prej 10 për qind që është për momentin, në vitin e parë tarifa do të bëhet 9 për qind, kurse në vitin e dytë do të jetë 7 për qind, e kështu me radhë për një periudhë të caktuar kohore të viteve. Ndërsa të gjitha automjetet që do të importohen pas kësaj periudhe do të tariforen me taksa 0 për qind, normalisht automjetet të cilat janë të prodhuara në Bashkimin Evropian, por dua të sqaroj se kjo nuk nënkupton që automjetet lirohen nga akciza dhe TVSh-ja”, tha Stavileci.

Udhëheqësi i Divizionit për Politika Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zef Dedaj tha se patatja dhe produktet e qumështit hyjnë në mesin e produkteve bujqësore për të cilat BE heq tarifat doganore nga hyrja në fuqi e MSA. Kurse për produktet e mishit të viçit BE-ja do të fiksoj tarifën doganore të aplikueshme për eksport nga Kosova në BE në 20 për qind tarifë.