Bota

Nga maji i vitit 2023, hyrja në BE bëhet me pagesë

Kostoja: 7 € (7,35 dollarë) për ata të moshës nga 18 deri në 70 vjeç

Më në fund ndodhi edhe kjo: fundi i udhëtimit pa pagesë në Bashkimin Evropian.

BE ka njoftuar nisjen e skemës së saj të shumëpritur të heqjes së vizave, ETIAS, që do të debutojë në maj 2023, raporton CNN, përcjell albinfo.ch.

ETIAS nuk është njësoj si një vizë – është më e shpejtë, bëhet në internet dhe nuk kërkon informacion biometrik – ka ende një procedurë dhe një kosto për ta marrë atë, më tepër si skema e Shteteve të Bashkuara, ESTA.

ETIAS, i cili qëndron për Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ishte planifikuar më parë për një debutim në fund të vitit 2022.

Udhëtarët e BE-së janë të përjashtuar dhe kanë lirinë e lëvizjes nëpër bllok, duke i lejuar ata të kalojnë sa më shumë kohë që duan në shumë vende, përcjell tutje albinfo.ch.

Por për të gjithë të tjerët që hyjnë në bllok nga një vend që më parë nuk kërkonte vizë, ETIAS do të jetë i detyrueshëm. Lëvizja prek rreth 60 vende, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat humbën lirinë e lëvizjes pas Brexit. Asgjë nuk ndryshon për ata që më parë kishin nevojë për vizë për të hyrë.

Procesi i aplikimit do të jetë nëpërmjet një “sistemi IT kryesisht të automatizuar”, me miratim të dhënë “brenda pak minutash”, për rreth 95% të aplikantëve, sipas një memo të re të lëshuar nga BE. Koha maksimale e nevojshme për miratim mund të jetë deri në një muaj në “raste shumë të jashtëzakonshme”. Kushdo, aplikimi i të cilit është refuzuar, do të ketë të drejtën e apelimit.

Autorizimi ETIAS është i vlefshëm për një numër të pakufizuar hyrjesh për tre vjet. Megjithatë, mbajtësit duhet t’u përmbahen rregullave të imigracionit dhe qëndrimit të tepërt. Aktualisht, shtetasit e tretë nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë në bllok në tërësi, për çdo periudhë 180 ditore.

Kostoja: 7 € (7,35 dollarë) për ata të moshës nga 18 deri në 70 vjeç. Nuk është ende e qartë nëse të tjerët do të kenë një tarifë të reduktuar ose do të jenë në gjendje të aplikojnë falas. Në krahasim, SHBA tarifon 21 dollarë për një autorizim ESTA.

Data e fillimit të aplikimeve nuk është bërë ende e ditur.