Portrete të firmave

Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR

Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore

I lindur në një fshat të vogël në Kosovë (Dardani) më 1964, Xhevdet Gashi u rrit me një realitet të thjeshtë dhe sfidues. Në një kohë kur elektrifikimi ishte ende një luks për shumicën, ai dhe familja e tij mbështeteshin te llambat e vajgurit për ndriçim. Këto përvoja të hershme, të përziera me përpjekje të vështira dhe zgjidhje krijuese, e formësuan atë dhe i ngulitën dashurinë për teknologjitë dhe energjitë e rinovueshme. Në moshën 11-vjeçare, Xhevdeti nisi të ndihmonte vëllain e tij në instalimet elektrike, duke u futur kështu në botën e energjisë. Aftësitë praktike dhe ambicia e tij u shquan që në fillimet e hershme, duke e bërë një profesionist të aftë që në adoleshencë.

Xhevdet Gashi, një pionier në fushën e energjisë diellore, ka një histori frymëzuese që përshkon rrugën nga një fëmijëri modeste në një fshat të vogël të Dardanisë, deri te ndërtimi i një prej bizneseve të respektuara në Zvicër e gjetiu, në fushën e energjisë së rinovueshme. Ai është themeluesi i Albasolar GmbH, një kompani që ofron sisteme fotovoltaike dhe termike për shtëpi, biznese dhe industri në Zvicër dhe më gjerë.

Historia e tij fillon në vitet 90-ta me krijimin e kompanisë Gashi Import-Eksport, një ndërmarrje e vogël individuale me seli në Bernë. Aktivitetet fillestare të kompanisë përfshinin konsultime tregtare, shitblerje dhe instalim të pajisjeve, por një kthesë vendimtare ndodhi në vitin 2006, kur Xhevdeti vendosi të fokusohej në energjinë diellore – një fushë që përfaqësonte vizionin e tij për një të ardhme të qëndrueshme.

ALBASOLAR – një emër që simbolizon rrënjët dhe vizionin
Pse Albasolar? Për shumë klientë të tij në Zvicër, emri kishte një tingull intrigues. Për Xhevdetin, ky emër ishte një simbol i dyfishtë: nga njëra anë, ishte një homazh për prejardhjen e tij shqiptare, ndërsa nga ana tjetër, ishte një metaforë në gjuhën latine “alba,” vendi ku lind dielli dhe “solar” për energjinë diellore.

Para  se të regjistronte kompaninë Albasolar GmbH në Bernë të Zvicrës në vitin 2011, ai testoi këtë emër në platformën Ricardo, një nga tregjet online më të mëdha në Zvicër, për të matur reagimin e klientëve. Testimi tregoi se emri jo vetëm që pranohej mirë, por kishte edhe një rezonancë pozitive tek klientët.

Puna familjare si shtyllë suksesi
Në të njëjtin vit, bashkëshortja e tij, Caroline, e cila punonte në një kompani energjie në Kantonin e Bernës, vendosi të lërë punën dhe t’i bashkohej Xhevdetit për të ndihmuar në administrimin e Albasolar GmbH. Ky vendim, që dukej si një rrezik në atë kohë, rezultoi një shtysë e madhe për rritjen e biznesit.

Një qasje e personalizuar ndaj klientëve
Xhevdet Gashi është i njohur për qasjen e tij të veçantë ndaj punës. Ai është i përfshirë drejtpërdrejt në çdo projekt, nga konsultimet fillestare deri tek instalimi i sistemeve diellore dhe mirëmbajtja e tyre. “Fillimi është shumë i rëndësishëm,” shpjegon ai. “Unë jam gjithmonë aty ditën e parë kur nis instalimi dhe kur konfigurohen sistemet për monitorim-për të vendosur gurëthemelin e impiantit diellor.”

Kompania ofron një garanci dyvjeçare për sistemet diellore dhe deri në 25 vite për panelet diellore, duke garantuar cilësi dhe besueshmëri për klientët. Për Xhevdetin, angazhimi nuk mbaron me instalimin. Ai monitoron vazhdimisht prodhimin e sistemeve të energjisë diellore të klientëve përmes aplikacioneve dhe sigurohet që në rast të ndonjë problemi ose defekti të adresohet shumë shpejt.

Nga nostalgjia e llambës së vajgurit deri te fuqia e 100 kWp
Një moment historik në jetën e tij ishte instalimi i 400 paneleve diellore në kulmin e objektit të tij ( ku jeton edhe punon) selia e Albasolar GmbH në Bernë të Zvicrës, në vitin 2012, të cilat prodhojnë rreth 95.000 kWh energji diellore në vit – dyfishin e kapacitetit që kishte transformatori i fshatit të tij në Dardani gjatë fëmijërisë. Deri sot nga ky impiant u prodhuan mbi1 milionë kWh energji diellore “Kur instalova ato panele,kisha shumë emocione, më rrodhën lotët…,” kujton ai. “Fëmijëria ime ishte e mbushur me sfida. Shpesh nuk kishim para për vajguri dhe përdornim naftë për llambat e vajgurit, të cilat nxinin xhamin dhe duheshin pastruar çdo natë.”

Sot, ai impiant prodhon energji diellore të mjaftueshme për të furnizuar deri në 30 shtëpi private në ditë, dhe brenda tetë viteve ka amortizuar plotësisht investimin në sistemin diellor dhe renovimin e kulmit të shtëpisë.

Ekspansioni në Dardani, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë
Rrugëtimi i ALBASOLAR nuk kufizohet vetëm në Zvicër. Në vitin 2006, Xhevdeti themeloi kompaninë e parë të energjisë diellore në Dardani Megasol Albania, dhe hapi dyqanin e parë për energjinë e rinovueshme në Bulevardin Bill Klinton në Prishtinë. Sot, ALBASOLAR ka një prani në Zvicër, Dardani, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe në Nigeri ( Afrikë).

Një nga projektet më domethënëse ishte sistemi i energjisë termike, në vitin 2009 në spitalin emergjencës në Prishtinë, ku u instalua sistemi i ngrohjes termike me kapacitet prej 10 mijë litra ujë të ngrohtë, u cila u financua nga Banka Evropiane. Si dhe ndihma për një fermer në Dardani që kishte nevojë për një sistem diellor për të ujitur plantazhet e tij. Pas suksesit të këtij projekti, fermeri ndërtoi edhe një restorant në mes të fushave ku nuk ekzistonte fare rrjeti elektrik, ku Kompania ALBASOLAR SH.A. e pajisi plotësisht restorantin me energji diellore. Pikërisht në këtë restorant në shtator të vitit 2024, z. Xhevdet Gashi festoi me miq e familjar gjashtëdhjetëvjetorin e lindjes së tij duke dhënë një mesazh të fuqishëm për rininë për të mos e braktisur vendin:  “Ky është një shembull i fuqishëm që rinia nuk ka nevojë të largohet nga vendi i tyre për të pasur sukses. ”

Sfida dhe inspirimi për të ardhmen
Xhevdeti shpesh has në skepticizmin e klientëve që konsiderojnë se energjia diellore është e kushtueshme. Por ai i sfidon këto perceptime: “Si mund të thuhet se një sistem që amortizohet për 5-8 vite është i shtrenjtë?!- ndërkohë që shumë njerëz shpenzojnë pesëfishin për një makinë të vetme që ndoshta e për veten e tij, e jo e gjithë familja?!”

Një mesazh frymëzues
Historia e Xhevdet Gashit është një dëshmi e fuqisë së punës së palodhshme dhe vizionit të qartë. Nga fëmijëria e tij me llambën e vajgurit, deri tek ndërtimi i një biznesi ndërkombëtar që kontribuon në një të ardhme më të qëndrueshme, ai është një shembull i gjallë se si mund të kapërcehen barrierat dhe të arrihen objektivat më të mëdha.

Unë jam krenar që jo vetëm zviceranët, por edhe shumë shqiptarë po zgjedhin ALBASOLAR për të ndërtuar një të ardhme më të ekologjike,” përfundon ai. “Është një arritje e jashtëzakonshme kur mendoj se nga ku kam nisur dhe ku jam sot…”

Historia e Xhevdet Gashit është më shumë sesa një rrëfim suksesi personal. Ajo është një dëshmi se si vullneti, vizioni dhe puna e palodhur mund të transformojnë sfidat në mundësi dhe ëndrrat në realitet. Nga errësira e një fshati të vogël të Dardanisë deri te drita që ndriçon me qindra familje në Zvicër dhe përtej saj, udhëtimi i tij frymëzon të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë një ndryshim.

Në fund, Xhevdeti lë një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm: “Asnjë ëndërr nuk është e pamundur kur i kushton veten me gjithë zemër. Kurrë mos lejoni që rrethanat t’ju ndalojnë – përdorni ato për t’u bërë më të fortë dhe më të vendosur. Dhe kur mendoni se nuk keni rrugëdalje, pikërisht atëherë nuk duhet të dorëzoheni.”

Kjo është historia e suksesit të ALBASOLAR – që transformon errësirën në dritë dhe lë një botë më ekologjike për brezat që vijnë.

Luljeta Ademi