Financa
Nga kriza financiare, evropianët kanë humbur 3 mijë € në vit
Frank Van Lerven, drejtues i programit të makroekonomisë në NEF, tha se masat shtrënguese kanë qenë një dështim
Qytetarët evropianë mund të kenë humbur rreth 3,000 euro në vit për shkak të masave shtrënguese të aplikuara nga qeveritë e BE-së që nga kriza financiare e vitit 2008, sipas një raporti të ri.
Studimi nga New Economics Foundation (NEF) dhe Finance Watch, i cili u publikua të premten, pohoi gjithashtu se vendet e BE-së mund të kishin shpenzuar deri në 1,000 euro më shumë në vit për person në shërbimet publike, nëse do të ishin aplikuar masa shtrënguese më pak të ashpra, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Lajmi vjen në një kohë kur shtetet e BE-së po arrijnë nivele borxhi të paprecedenta në kohën moderne të paqes, për të zbutur efektet e pandemisë COVID-19 dhe të luftës në Ukrainë.
Frank Van Lerven, drejtues i programit të makroekonomisë në NEF, tha se masat shtrënguese kanë qenë një dështim.
“Dekada e fundit e politikave shtrënguese ka dëmtuar ekonomitë evropiane dhe nuk ka lejuar përmirësimin e standardeve tona të jetesës,” tha Van Lerven.
“Përqendrimi i tepruar te reduktimi i borxhit dhe i deficitit, as nuk nxit rritjen ekonomike dhe as nuk e mban borxhin të ulët. Përkundrazi, masat shtrënguese i kanë penguar vendet evropiane për të arritur potencialin e tyre.”
Pas krizës financiare, Brukseli filloi aplikimin e disa rregullave fiskale për huamarrjen dhe shpenzimet qeveritare, të cilat ishin më të rrepta. Qëllimi i këtyre masave ishte reduktimi i borxhit publik. Kjo u synua të arrihej përmes reduktimeve të shpenzimeve publike dhe të investimeve.
Por, pas goditjes së pandemisë, BE-ja i pezulloi këto rregulla – të njohura edhe si Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes – për t’u ofruar vendeve më shumë fleksibilitet në trajtimin e pasojave ekonomike.
Studimi nga New Economics Foundation zbuloi se masat e mëparshme shtrënguese e kanë bërë Evropën që të ishte më vulnerabël ndaj goditjeve ekonomike të COVID-19 dhe të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Nëse masat shtrënguese nuk do të kishin qenë kaq të rënda, ai thotë se 533 miliardë euro do të ishin në dispozicion të qeverive të BE-së për t’u shpenzuar në projektet e infrastrukturës, duke përfshirë edhe ato të infrastrukturës së gjelbër, të cilat, sipas studimit, mund të kishin ndihmuar në zbutjen e ndikimit të rritjeve të çmimeve të energjisë.
Por, Antonios Nestoras, drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Forumit Liberal Europian, tha për Euronews se gjetjet e raportit nuk ofrojnë një perspektivë të ekuilibruar dhe nuk marrin parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm, duke shtuar se nivelet e shpenzimeve publike mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm pasi të jenë krijuar bazat e një shoqërie të pasur.
“Ne duhet të krijojmë pasuri. Ne duhet t’u ofrojmë qytetarëve dhe korporatave një fushë të barabartë loje, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të krijojnë pasuri,” shpjegoi Nestoras.
“Ne duhet të vendosim rregulla të menduara mirë për të mbështetur inovacionin, kërkimin, zhvillimin, industrinë, teknologjinë.
Këto janë gjërat ku duhet të fokusohemi dhe më pas mund të luajmë me nivelet e shpenzimeve publike, të përpiqemi të kontrollojmë inflacionin dhe të përpiqemi të krijojmë stabilitet makroekonomik duke u bazuar te shpenzimet publike.”
“Për sa kohë që ne nuk i përqendrojmë përpjekjet tona në krijimin e pasurisë, nga do të vijnë paratë? Kjo është një pyetje që nuk ka përgjigje në këtë raport dhe nga politikat publike në përgjithësi.”
“Një qasje afatgjatë”
Të mërkurën e ardhshme, Komisioni Evropian do të paraqesë planet për udhëzimet e reja fiskale, pasi të përfundojë pezullimi i Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes në fund të vitit 2023.
Për momentin, propozimet po mbahen të fshehta, por për Sebastian Mang, ekspert i fushatave në NEF, rregullat e shpenzimeve duhet të zbuten në të ardhmen.
“Në mes të krizës së COVID-19, Komisioni Evropian u autorizua të merrte hua nga tregjet financiare për herë të parë, në mënyrë që të financonte përgjigjen e tij ndaj krizës”, tha Mang për Euronews.
“Por, në vend që të bazohemi te përgjigjet ad-hoc ndaj çdo krize të re, ajo për të cilën ka nevojë Evropa përtej vitit 2024 është një qasje afatgjatë që është e përshtatshme për qëllimin. Ekonomia e kursimeve ishte një eksperiment i dështuar. Nivelet e ulëta të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto sollën një rënie të taksave të marra nga qeveritë, duke shtuar kështu borxhin publik.”
“Qeveritë kombëtare duhet të fuqizohen për të investuar te shërbimet publike, si shëndetësia dhe arsimi, si dhe në reduktimin e emetimeve të karbonit. Nga ana e tij, Komisioni Evropian duhet të jetë në gjendje të mbështesë shpenzimet kombëtare përmes huamarrjes nga institucionet evropiane.”
Nestoras, nga ana tjetër, tha se duhet gjetur një ekuilibër kur bëhet fjalë për rregullat fiskale të BE-së.
“Ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur për këto gjëra,” tha ai për Euronews.
“Politika reale është gjetja e ekuilibrit të duhur, raporti i artë mes forcave që kundërshtojnë njëra tjetrën, si forcave politike, ashtu edhe atyre ideologjike. Kam besim se sistemi që kemi krijuar në Europë do të gjejë një kompromis mes të dyjave.”
Sondazhet e përfshira në raport zbuluan se 70% e njerëzve janë të shqetësuar nga ajo që mund të ndodhë nëse fillojnë të zbatohen përsëri masat shtrënguese. Në të njëjtën kohë, 70% e të anketuarve raportuan gjithashtu shqetësim për rritjen e borxhit të qeverive.
Megjithatë, një gjë për të cilën njerëzit e pyetur ishin të sigurt, mbetet nevoja për të investuar më shumë në shërbimet publike jetike, të tilla si arsimi, shëndetësia dhe kujdesi social.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras” Në mbledhjen e 20 nëntorit 2024, Këshilli Federal miratoi mesazhin për nismën popullore “Po ndalimit të...
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie