Integrimi
Nga këndet e lojërave te politika arsimore: Shqipja si gjuhë kombëtare e Zvicrës?
Në intervistën për albinfo.ch, Silvia Steiner, drejtoreshë e Arsimit në Kantonin e Cyrihut flet, veç tjerash, edhe për trajtimin e gjuhës shqipe në shkollat e këtushme
Me shprehjet në gjuhën shqipe si “Ej njeri!” (Hej Mann) ose “te dua” (Ich liebe dich), gjuha shqipe po depërton gjithnjë e më shumë në gjermanishten zvicerane dhe po bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën e përditshme shkollore në kantonin e Cyrihut. Por a do t’i bashkohet shqipja në të ardhmen diversitetit të gjuhëve kombëtare zvicerane?
Kjo pyetje është bërë kryefjalë kohët e fundit në mediat zvicerane, por eksperti i njohur i gjuhës, Stephan Schmid nga Universiteti i Cyrihut ka shprehur së fundmi skepticizëm rreth kësaj. Schmid shpjegoi se shqipja, si shumë gjuhë të tjera emigrantësh, rrezikon të humbasë rëndësinë e saj në brezin e dytë dhe të tretë. Ai prirjen aktuale drejt përdorimit të fjalëve shqipe ua atribuon faktorëve arsimorë joformalë si muzika, interneti dhe shkëmbimi gjuhësor mes bashkëmoshatarëve. Ai po ashtu thekson se arsimi formal ende duhet të përmirësohet, veçanërisht duke pasur parasysh realitetin social në të cilin, tek të rinjtë e gjeneratës së dytë apo të tretë në Zvicër, nga e gjithë gjuha shqipe kanë mbetur vetëm disa “albanizma”.
Albinfo.ch tani kalon nga këndet e lojërave në nivelet më të larta të politikës arsimore të Cyrihut dhe fjalën ia dorëzon znj. Silvia Steiner. Ne dëshirojmë të kuptojmë rolin e saj si Drejtoreshë (ministre) e Arsimit e Kantonit të Cyrihut dhe të mësojmë pikëpamjet e saj mbi gjendjen aktuale në lidhje me organizimin formal arsimor në kontekstin e mësimit të gjuhës shqipe në HSK (Kurset e Gjuhës së Prejardhjes).
Albinfo.ch: Zonja Steiner, a mund të na tregoni më shumë për rolin tuaj si drejtoreshë e arsimit në kantonin e Cyrihut?
S. Steiner: Si drejtoreshë e Arsimit, jam e përkushtuar t’u ofroj fëmijëve dhe të rinjve në Kantonin e Cyrihut arsimin dhe trajnimin më të mirë të mundshëm. Baza për këtë është një shkollë fillore e fortë që është e qasshme për të gjithë fëmijët dhe që plotëson nevojat e ndryshme të nxënësve. Unë jam gjithashtu përgjegjëse për shkollat e mesme dhe profesionale, universitetet, këshillimoret për karrierë dhe arsimin jashtëshkollor, si këshillimoret prindërore etj.
Albinfo.ch: A mund të përshkruani shkurt biografinë tuaj shkollore?
S. Steiner: Pas shkollës fillore, kam ndjekur shkollën e mesme në Oerlikon (ZH). Më pëlqente të shkoja në shkollë dhe gjithashtu isha e interesuar për sportin, pasioni im ishte hendbolli. Pasi mbarova shkollën e mesme, vendosa të studioj në Universitetin e Cyrihut dhe u diplomova në drejtësi. Doktoraturën e kam marrë në Universitetin e Lozanës, në Zvicrën frëngjishtfolëse. Para zgjedhjes sime në këshillin qeveritar, kam punuar si police dhe prokurore.
Albinfo.ch: A kishte atëherë nxënës që vinin në shkollë duke mos i pasur gjuhët zvicerane si gjuhë amtare dhe si perceptohej kjo në atë kohë në shoqëri?
S. Steiner: Klasat ishin të përziera që atëherë, kur unë ndiqja shkollën fillore në vitet `60. Më kujtohen sidomos shokët e klasës që kishin migruar vonë dhe flisnin vetëm italisht.
Në kantonin e Cyrihut, njohja e mirë e gjermanishtes është bazë për një arsimim të suksesshëm, prandaj mbështetja gjuhësore fillon sot që në kopshtin e fëmijëve. Diversiteti është gjithashtu një mundësi. Në shkollë – atëherë si dhe tani – fëmijët me prejardhje të ndryshme sociale, kulturore ose fetare mblidhen së bashku. Gjatë kohës së tyre në shkollë, fëmijët jo vetëm mësojnë aritmetikën dhe shkrimin, por mësojnë edhe si të jetojnë së bashku.
Albinfo.ch: A mund të na tregoni gjendjen aktuale të njohurive rreth organizimit të mësimdhënësve të HSK (gjuhës dhe kulturës amtare) për gjuhën shqipe në kantonin e Cyrihut?
S. Steiner: Mësimet plotësuese në gjuhën dhe kulturën e prejardhjes (HSK) promovojnë gjuhën e parë të fëmijëve dhe u japin njohuri për vendin e tyre të origjinës. Kurset nuk organizohen nga Drejtoria Arsimore, por nga ambasadat, konsullatat apo shoqatat. Pjesëmarrja në këto klasa forcon aftësitë gjuhësore të nxënësve që rriten shumëgjuhësh. Në shkollën fillore të Cyrihut, fëmijët me gjuhën amtare shqipe janë grupi më i madh i jogjermanishtfolësve.
Albinfo.ch: A ka ndonjë autoritet që mund të vlerësojë dhe optimizojë misionin zyrtar të mësimdhënies së gjuhës?
S. Steiner: Për kurset e njohura HSK, zyra e arsimit fillor rregullon miratimin e kurseve dhe mësuesve dhe mbështet trajnimin e mëtejshëm. Zyra në fjalë ka zhvilluar një kurrikul kornizë për mësimin e gjuhës dhe kulturës së prejardhjes, e cila është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndër gjuhët e tjera. Kurrikula kornizë HSK formon një kuadër të përbashkët, të detyrueshëm për të gjitha kurset e njohura të HSK. Ai bazohet në kurrikulën 21 të Kantonit të Cyrihut dhe siguron mësimdhënie bashkëkohore HSK. Kurrikulat e veta nga vendet e origjinës duhet të përdoren në përputhje me kurrikulën kornizë të HSK.
Çdo tre vjet, zyra e shkollës fillore mbledh dhe shqyrton raportet e bartësve (të këtyre kurseve) si pjesë e një programi monitorimi.
Albinfo.ch: Së fundi, zonja Steiner, duke pasur parasysh rritjen e diversitetit gjuhësor në shkolla, ku shihni ju si drejtoreshë e arsimit mundësi dhe potencial për përmirësime sociale në promovimin e dygjuhësisë shtesë, veçanërisht në fushën e arsimit formal ?
S. Steiner: Me kurset në gjuhën dhe kulturën amtare, ekziston një ofertë e mirë për gjuhët e ndryshme të para (të origjinës). Si shkolla ashtu edhe mësuesit e HSK-së janë të përkushtuar që t’i inkurajojnë fëmijët të shijojnë gjuhën dhe leximin dhe shkrimin në gjuhën amtare. Rëndësia e viteve të para të jetës nuk duhet nënvlerësuar. Në kohën para se të hyjnë në kopsht, fëmijët mësojnë më shumë se në çdo fazë tjetër të jetës. Është e rëndësishme që kujdestarët të flasin shumë me fëmijët në jetën e përditshme. Ka oferta të shumta për prindërit dhe fëmijët në kantonin e Cyrihut për të nxitur zhvillimin e hershëm.
Intervistën zhvilloi: Driter Gjukaj
Informacion shtesë
Kurse HKS: https://www.zh.ch/de/bildung/informationen-fuer-schulen/informationen-volksschule/volksschule-schulinfo-lehrsergaenzende-angebote/schulinfo-foerderung-erstsprach-hsk.html
Oferta për familjet (mbështetje e hershme):
https://www.zh.ch/de/familie/angebote-fuer-familien-mit-kindern.html
Drejtoria Arsimore e Kantonit të Cyrihut:
https://www.zh.ch/de/bildungsdirektion.html
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?