Kosova
Nga Japonia në Zvicër, për të qenë më afër vendlindjes
Gjithçka në Japoni po ecte për mrekulli për Fabiolën dhe Endrin, deri sa ata filluan ta ndjenin se Japonia ishte vërtet shumë larg vendlindjes së tyre
Endri Rama dhe Fabiola Nanushi kanë afër një vit që janë zhvendosur në Zvicër. Ata kishin shkuar bashkë në Japoni për të studiuar, Endri në doktoraturë dhe Fabiola për master. Gjithçka atje po ecte për mrekulli për të dy, deri sa ata filluan ta ndjenin se Japonia ishte vërtet shumë larg vendlindjes së tyre.
Endri dhe Fabiola ishin njohur gjatë studimeve universitare në Tiranë. Dëshira e tyre ishte që shkollimin e mëtutjeshëm ta vazhdonin jashtë Shqipërisë. Një ëndërr e kahershme e Endrit bëri që çifti të zhvendosej në Japoni në vitin 2014.
Ngritja akademike dhe profesionale e çiftit
Endri Rama që në moshë të vogël kishte qenë i apasionuar ndaj animimeve japoneze, të cilat ishin shkak i shkuarjes së tij të mëvonshme në këtë shtet për të studiuar dhe punuar në fushën e robotikës.
Ai, në vitin 2006 nisi studimet Bachelor në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, Dega Elektronikë, në Tiranë, për të vazhduar më pas aty edhe studimet Master.
Ndërsa, në vitin 2011 i jepet mundësia të punësohet në kompaninë “Sicpa Security Solution”, një kompani zvicerane me zyrën qëndrore në Lozanë.Vizita e tij e parë në këtë qytet i la mbresa të jashtëzakonshme. Dhe, pas tre vjetëve, ëndrra e Endrit bëhet realitet. I mbështetur me bursë nga qeveria japoneze, ai nis doktoratën në fushën e teknologjisë dhe shkencave neurologjike në Universitetin e Toyamas, në Japoni.
Fabiola studimet Bachelor i përdundoi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik. Që në vitin 2010 ajo nisi punë si financiere në një nga rrjetet e njohura të supermarketeve në Shqipëri, “Conad Albania Ltd.”. Kurse, deri në vitin 2014 ajo punoi në Ministrinë e Ekonomisë, në Drejtorinë e Mbikëqyrjes Tregtare, për të përfaqësuar interesat e konsumatorëve shqiptarë, në Sektorin e Mbrojtes së Konsumatorit
Ardhja nga Japonia në Zürich, arsyet e emigrimit
Pas përfundimit të doktoratës në vitin 2018, Endri kishte nisur punë si inxhinier kërkimi dhe zhvillimi, në një kompani japoneze “Omron Coorporation”, në Kyoto. Kurse, pas përfundimit të Masterit, Fabiola po ashtu nisi punë në një kompani japoneze, si koordinatore e burimeve njerëzore, në “Mori´s Ruby”.
Por, ndonëse të sistemuar profesionalisht, çifti e ndjente nevojën për të qenë më afër vendlindjes.
“Japonia është një vend shumë i zhvilluar dhe të ofron shumë mundësi, si nga ana shoqërore, edhe ajo profesionale. Gjithsesi, të jetosh në një vend aq të largët, nuk ishte e lehtë. Largësia me familjarët dhe shoqërinë ishte ajo që na mundoi më shumë në këto vite. Vendimin për të ndryshuar vendndodhje e morëm bashkë dhe erdhi në momentin e duhur. Pas 8 vitesh jetesë në Japoni, ishim në kërkim të një shteti që do të na ofronte të njëjtat standarde, por që njëkohësisht të ishte më afër vendlindjes sonë”, thotë Endri.
“Ndikimin më të madh për t´u zhvendosur në Zvicër e pati Endri, pasi 11 vjet më parë e kishte vizituar Lozanën dhe impresionet e asaj kohë i kishte ende të freskëta. Ai donte që ta përjetonte përsëri atë eksperiencë, por kësaj radhe shumë më ndryshe, të punonte dhe jetonte”, ka thënë Fabiola.
Ndërsa, për çiftin, një nga arsyet kryesore të emigrimit në shtetin helvetik ishte po ashtu, fakti që Zvicra është ndër vendet e para me start-upe teknologjike. Ata e shohin këtë shtet si vend të mundësive për t´u rritur profesionalisht dhe për të jetuar me standarde të larta.
Angazhimet dhe ambientimi në Zvicër
Ambientimi në Zvicër për çiftin nuk ka qenë i lehtë, duke qenë se kanë jetuar në Japoni, një vend me kulturë shumë të ndryshme prej asaj evropiane.
“Përshtatja nuk është e lehtë pas një kohe aq të gjatë në një kulturë aq homogjene dhe me disiplinë të “hekurt” si Japonia, por pa dyshim Zvicra ngelet ndër vendet më të mira për të jetuar dhe punuar. Natyra është e pakrahasueshme dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe pas 11 viteve nga vizita e parë e Endrit në Zvicër. Peisazhe që më parë i shihnim në fotografi dhe dukeshin jo reale, që pas zhvendosjes sonë këtu i kemi perjetuar ´live´”, ka thënë Fabiola.
Ajo po ashtu përmend faktin se në Zvicër kanë takuar bashkatdhetarë të tyre dhe kjo i bën të ndjehen më mirë.
“Në një kohë të shkurtër kemi kuptuar që këtu në Zvicër është një komunitet mjaft i madh i bashkatdhetarëve tanë që janë përshtatur mjaft mirë me shoqërinë këtu, dhe për këtë jemi shumë të kënaqur”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Fabiola momentalisht po bën një pauzë të shkurtër profesionale, pasi që po kujdeset për vajzën 4 vjeçe.
Endri, në anën tjetër, është duke punuar si inxhinier i lartë në kërkim dhe zhvillim në kompaninë “Maxwell Biosystems A.G., e cila është një startup inovativ në fushën e bio-teknologjisë.
“Ndihem shumë mirë në kompaninë ku punoj dhe jam përshtatur shumë shpejt falë mikëpritjes së kolegëve dhe ambientit multikulturor që ofron kompania”, thotë ai.
Ata shtojnë se e vizitojnë shpesh Shqipërinë, dhe duan që në jetën e fëmijëve të tyre të jenë të pranishëm gjyshërit dhe miqtë. Andaj, për ta, zhvendosja në Zvicër ishte vendimi i duhur.
Ja përse zgjodhëm Zvicrën për të jetuar
“Pas 8 vjetësh jetesë në Japoni, ishim në kërkim të një shteti që do të na ofronte të njëjtat standarde, por që njëkohësisht të ishte më afër vendlindjes sonë”, thotë Endri.
Ndikimin më të madh për t´u zhvendosur në Zvicër e pati Endri, pasi 11 vjet më parë e kishte vizituar Lozanën dhe impresionet e asaj kohë i kishte ende të freskëta.
Ndërsa, për çiftin, një nga arsyet kryesore të emigrimit në shtetin helvetik ishte po ashtu fakti që Zvicra është ndër vendet e para me start-upe teknologjike.
E-Diaspora
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 22 dhjetor...
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
Jeta në Zvicër
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit Në një vlerësim të publikuar të hënën, Fondi Zviceran i Sigurimit të Aksidenteve (Suva) thekson se...
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane
-
Parfumi REMIX: Një inovacion zviceran me investitorë shqiptarë
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve