Integrimi
Nga integrimi përfitojnë të dy palët
Intervistë me Lisa Ehrler përgjegjëse për Integrim në Komunën e Horgenit, Kantoni i Cyrihut
“Integrimi është një obligim shoqëror, një proces i cili u shërben të dy palëve. Ky proces ndërtohet me pranimin dhe hapjen edhe nga ana e shoqërisë zvicerane. Mërgimtaret dhe mërgimtarët duhet të tregojnë gatishmëri për mësimin e gjuhës dhe të kyçen në sistemin e vlerave të vendit”, thotë veç tjerash për albinfo.ch Lisa Ehrler, përgjegjëse për Integrim në Komunën e Horgenit, Cyrih
albinfo.ch: Çfarë ofertash integruese ofron komuna e Horgenit ?
Lisa Ehrler: Ka tre vite që Komuna e Horgenit po mbështet funksionin e përgjegjësit për integrim.
Të gjithë mërgimtarët dhe mërgimtaret që vendosen në komunën tonë, do të përshëndeten personalisht nga unë, si dhe do të jenë të informuar për jetën në Zvicër dhe për të gjitha shërbimet komunale. Si për shembull për ofertat e kurseve gjuhësore, ato shëndetësore, si dhe sistemin shkollor, çështjet e mbeturinave, për shoqatat e ndryshme ku edhe vlen të angazhohen.
Komuna e Horgenit ofron kurse të subvencionuara në gjuhën gjermane dhe kurse të tjera me përkujdesjen falas për fëmijët. Në Projektin “Family Literacy”, “Më dhuro një tregim” në gjuhën shqipe, kroate dhe angleze, forcohet zhvillimi gjuhësor i fëmijës përmes përrallave dhe librave me vizatime. Çdo të martën e parë të muajit mund të takohen të sapo ardhurit dhe vendasit në „Cafe International“ për të biseduar e shkëmbyer mendime dhe njëherësh për të ushtruar gjuhën gjermane. Është e dyta herë që Komuna e Horgenit në bashkëpunim me Zyrën për integrim të Kantonit të Cyrihut ofron një trajnim arsimor për drejtuese të grupit të lojës (Spielgrupleiterin), ku mësohet tërësisht mbi promovimin e gjuhës. Prej muajit maj 2016 zhvillohet takimi i njësisë integruese ku do të ofrojmë një shërbim shkrimi në qarkun Chalchofen.
albinfo.ch: Promovimi i projekteve të integrimit bëhet në të gjitha gjuhët. A janë mirënjohës mërgimtarët dhe mërgimtaret për ofertat e ndryshme që bëhen për t`ua lehtësuar integrimin?
Lisa Ehrler: Mërgimtarët dhe mërgimtaret të cilat janë të pranishëm në këto oferta, i vlerësojnë ato shumë, sikur edhe kurset gjuhësore me përkujdesjet falas për fëmijë si dhe përshëndetjet e para mikpritëse.
albinfo.ch: Kush përfiton më shumë nga integrimi, mërgimtarët apo vendasit ?
Lisa Ehrler: Integrimi është një obligim shoqëror, një proces i cili u shërben të dy palëve. Ky proces ndërtohet me pranimin dhe hapjen edhe nga ana e shoqërisë zvicerane. Mërgimtaret dhe mërgimtarët duhet të tregojnë gatishmëri për mësimin e gjuhës dhe të kyçen në sistemin e vlerave të vendit.
albinfo.ch : Cili është imazhi i shqiptarëve në promovimin integrues?
Lisa Ehrler: Për funksionin integrues ne flasim për grupet vështirë të arritshme. Për shembull për grupet të caktuara, të cilat shihen më rrallë në kurset e gjuhës. Këtu hyjnë pak a shumë edhe shqiptarët. Por kjo vjen mbase edhe nga fakti se ata janë më të organizuar në rrjetin e tyre të diasporës.
albinfo.ch : Shumë shqiptarë e shqiptare janë të traumatizuar nga lufta, kjo është edhe një arsye që e ngadalëson integrimin. Çfarë mendoni, a ka edhe arsye të tjera?
Lisa Ehrler: Nuk e di përse disa shqiptarë është vështirë t‘i kontaktosh. Duhet guxim dhe fuqi për të ndërtuar një jetë të re në një vend të ri. Njerëzit e shëndetshëm dhe të hapur sigurisht se posedojnë më shumë resurse për tu përfshirë.
albinfo.ch: Mendoj se gratë janë më të paintegruara sesa burrat. A ka në Horgen këshillimore për gra?
Lisa Ehrler: Shërbimi social i komunës së Horgenit ndihmon për problemet ekonomike dhe ato personale. Këshillimorja për prindër ofron këshilla, por edhe qendra profesionale për integrim po ashtu është e hapur për të gjitha pyetjet. Gjithashtu ofrohen edhe përkthime.
Punësimi ka një funksion të rëndësishëm integrues, prandaj shumica e burrave e kanë më të lehtë për tu integruar. Mësimi i gjuhës është shumë i rëndësishëm për femrat. Kështu mund t`i mbështesin fëmijët e tyre në shkollë, të prezantojnë në bisedat prindërore, dhe po ashtu t`i rrisin shanset në tregun e punës.
albinfo.ch: Integrim do të thotë ta kuptojmë njëri tjetrin dhe të jetojmë së bashku. Cilat kultura janë më të suksesshme në rrugën e integrimit ?
Lisa Ehrler: Çka quhet sukses? Njëri ndër faktorët kryesorë është mësimi i gjuhës gjermane. Kur njeriu di të tregojë, do të dëgjohet dhe do të merret me seriozitet. Do të ketë mundësi trajnimi apo arsimimi për të arritur suksese në aspekte profesionale. Kështu vjen deri te shkëmbimi dhe vlerësimi.
albinfo.ch: Kultura është shpirti i një populli. A do të thotë kjo se integrimi në kulturën tjetër e zbeh kulturën e rrënjës ?
Lisa Ehrler: Unë mendoj se nuk humbet as kultura e as identiteti. Por njeriu do të jetë më i hapur ndaj kulturave të tjera. Kush kujdeset për këtë sukses do ti shijojë të mirat e shumëfishta të kësaj bote.
albinfo.ch: Cilat janë përvojat në nxitjen e hershme gjuhësore? Sa i shfrytëzojnë prindërit mërgimtarë për shembull ofertat e grupit të lojës në Horgen?
Lisa Ehrler: Nuk janë gjithmonë në dijeni prindërit se sa e ndihmon startin fatlum të shkollimit, angazhimi i fëmijë në gruplojë. Është obligim i imi për ti sensibilizuar prindërit dhe për tua larguar frikën se fëmija i tyre do të harrojë gjuhën e nënës. Në anën tjetër po ashtu është obligim i komunës për t`u ofruar fëmijëve mundësi të hershme të mësimit të gjuhës, të cilat janë të përballueshme financiarisht për prindërit.
albinfo.ch : Sa po mbështetet integrimi nga mediat ?
Lisa Ehrler: Pjesërisht, varet nga drejtimi i medias. Lajmet bulevardeske synojnë të ushqejnë lexuesin me lajme të thjeshta negative. Por ka edhe shumë media të cilat ofrojnë raportime të thella integruese.
albinfo.ch: A mund të jetë gjenerata e dytë një ndihmëse në suazat integruese ?
Lisa Ehrler: Çdo takim ndërkulturor është një mundësi për të lëvizur më pranë njëri-tjetrit. Gjenerata e dytë u rrit dhe u shkollua këtu. Ajo e njeh sistemin zviceran por edhe rrënjët e veta kulturore. Unë shpresoj se ky brez është aktiv dhe ndërton ura mes prindërve të tyre dhe popullsisë zvicerane
albinfo.ch: Dëshironi të jepni një porosi për shqiptarët dhe shqiptaret?
Lisa Ehrler: Po, me shumë dëshirë. Edhe nëse e përsëris, por mësoni gjermanisht.
Kërkoni edhe një herë bankat shkollore për të marrë kurset të cilat ua ofrojnë komunat. Gjuha është dhe mbetet çelësi për integrimin e suksesshëm.
Shqiptarët, më rrallë shihen në kurse
Për funksionin integrues ne flasim për grupet vështirë të arritshme. Për shembull për grupet të caktuara, të cilat shihen më rrallë në kurset e gjuhës. Këtu hyjnë pak a shumë edhe shqiptarët. Por kjo vjen mbase edhe nga fakti se ata janë më të organizuar në rrjetin e tyre të diasporës.
E-Diaspora
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen Kjo periudhë e suksesshme shënoi një hap të rëndësishëm për klubin që vazhdon të rritet dhe...
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
-
Xhaka, me transplant të flokëve në Prishtinë
-
1 orë pritje për të dalë nga Kosova
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Një person humb parakrahun nga shpërthimi i fishekzjarrëve 36-vjeçari po rregullonte fishekzjarrët, të cilat më pas kanë shpërthyer. Ai ka mbetur i lënduar edhe...
-
Zvicra nis vitin e ri me fishekzjarre, kokteje dhe njerëz të lënduar
-
Pensioni AHV, ushtria, buxheti: Këto janë diskutimet e vitit 2024
-
Aterrimi emergjent në Graz: Motori i Swiss-Airbus A220 tregon “model të panjohur defekti”
-
Pas korrigjimit: SBB, nga vendi i dytë bie në vendin e njëmbëdhjetë në Evropë