Lajme

Nga 11 korriku, birra e Pejës edhe në «LIDL»

“Birra Peja” përveç në “Coop” ,“Ottos”, “Aldi”, “Denner Satelit”, shitoret partnere të Mgros-it do të plasohet edhe në të gjitha filialet e LIDL në Zvicër

Duke filluar nga 11 korriku edhe në marketet e LIDL, në Zvicër do të dalë në shitje produkti shumë i kërkuar nga Kosova, “Birra Peja”.

Bëhet fjalë për zinxhirët konsumues më të rëndësishëm në vend, shkruan albinfo.ch.

Për fillim, birra e Pejës do të gjendet në 120 filiale të «LIDL»-it, në tërë Zvicrën.

Për vendosjen e këtij produkti në një varg shitoresh prestigjioze zvicerane, Rexhep Berisha, importues i saj, ndihet krenar, sepse kjo natyrisht që është me interes ekonomik, por edhe simbolik, ngase edhe ai vetë është me prejardhje nga Peja.

Importimi i birrës së Pejës shënon një hap serioz dhe konkret drejt kontributit të aktorëve ekonomikë të diasporës për zhvillimin e Kosovës.

“Në fakt, rritja e eksportimit të produkteve kosovare në Zvicër dhe Perëndim ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të punës në Kosovë.”, thotë afaristi Rexhep Berisha, dhe tregon se krahas birra Peja do të jenë edhe produkte “Sola”, “Fruti” dhe artikuj tjerë të cilat i importon prej vitesh në Zvicër.

Sipas pronarit  të firmës R.B. Import& Export dhe i restorantit “Sängerstübli”, në po këtë qytet,« Birra Peja » ka nisur fillimisht distribuimin në shitoren numër dy në mesin e ndërmarrjeve në të mëdha tregtare të Zvicrës, «Coop».

«Birra e Pejës» prej disa vitesh mund të blihet në të ashtuquajturat “etnomarkete” (shitoret me mallra ballkanike) pastaj në Denner-Satelit dhe në Spar.