Lajme

Nga 1 prilli autoritetet zvicerane mund të monitorojnë telefonët e azilkërkuesve

Nga 1 prilli, autoritetet zvicerane do të kenë mundësinë të monitorojnë telefonat celularë dhe kompjuterët e azilkërkuesve, me qëllim përcaktimin e identitetit, kombësisë dhe itinerarit të tyre të udhëtimit, nëse kjo është mënyra e vetme për ta bërë këtë. Ky ndryshim është kërkuar nga Parlamenti dhe synon përmirësimin e procesit të azilit.

Aplikantëve për azil do t’u kërkohet të autorizojnë këtë kontroll dhe, nëse identiteti nuk mund të përcaktohet me mjete të tjera, do të përdoren të dhëna si numra telefoni, fotografi dhe dokumente identifikimi, shkruan RTS.

Një fazë testimi do të zhvillohet në Qendrat Federale të Azilit në Bazel dhe Chiasso për tre muaj, pas së cilës praktika do të aplikohet në të gjitha qendrat përkatëse. SEM do të sigurojë që analiza e mediave elektronike të jetë e nevojshme dhe proporcionale dhe do të ruajë të drejtat e privatësisë, duke kryer kontrollin në prani të azilkërkuesve.

Ky proces është kritikuar nga Organizata Zvicerane e Ndihmës për Refugjatët si një shkelje e rëndë e privatësisë, transmeton albinfo.ch.