Shqipëria

Nesër mbi Tiranë fluturojnë avionët e NATO-s

Nesër mbi Tiranë do të fluturojnë ulet avionë luftarakë të NATO-s dhe avionë të mëdhenj kontrolli. Rreth orës 11:00 është menduar që avionët të shfaqen në hapësirën e Shqipërisë me zhurmën e tyre të fortë.

Misioni ajror paraprin vizitës zyrtare në Shqipëri të Komandantit të forcës ajrore të NATO-s, gjeneralit Wolters.

Ai mbërrin në Shqipëri për ceremoninë e fillimit të punës në bazën ajrore të Kuçovës, e cila do të jetë një bazë ushtarake e NATO-s.

Për këtë ka folur ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, shkruan RTK, përcjell Albinfo.ch.

“Nesër do kemi në Ministrinë e Mbrojtjes një mik të veçantë, Komandantin e NATO Allied Air Command, gjeneral Wolters, i cili vjen për të zyrtarizuar fillimin e punës nga NATO për superinvestimin në Bazën Ajrore të Kuçovës. Në shenjë nderimi dhe mbështetjeje për përmbushjen e misionit të Shqipërisë në Aleancë, disa avionë të NATO do të fluturojnë nesër rreth orës 11:00 në qiellin e Tiranës. Momenti i duhur për të shijuar fluturimin e 5 avionëve, për të bërë disa foto e video, për këtë element që do shoqërojë një prej lajmeve më të bukura, në këta 10 vjet të anëtarësimit të vendit tonë në familjen e madhe atlantike”, ka shkruar ajo.