Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshje binjakëzimi mes disa shkollave profesionale Shqipëri-Zvicër

Jo vetëm mësuesit, por edhe nxënës të shkollave të mesme profesionale në Shqipëri mund të njihen nga afër me praktikat profesionale në Zvicër.

Përmes projektit “Aftësi për Punë” të programit zviceran në Shqipëri ‘SwissContact” drejtorët e dy shkollave shqiptare “Kolin Gjoka” dhe “Gjergji Canco” nënshkruan një marrëveshje të shkëmbimit të praktikave profesionale me shkollën “BBZ Biel Bienn”, raporton “Business Magazine”.

Matthias Dick, anëtar i bordit të shkollës BBZ, tha se, “Qëllimi kryesor është shkëmbimi i praktikave. Kjo nënkupton që nxënësit shqiptarë të mund të zhvillojnë praktikat në sipërmarrje ku bëjnë praktikën nxënësit e shkollës sonë dhe anasjelltas”, përcjell albinfo.ch.

Por, ai theksoi gjithashtu se edhe shkolla zvicerane do të përfitojë nga binjakëzimi. Për të është me interes zhvillimi i programit me bazë të mësuarit në shkollë, çka është më e theksuar në shkollat shqiptare.

Zëvendës-ambasadori zviceran Philipp Keller tha se, sistemi dual i formimit, ndihmon ekonominë. Kjo qasje sipas tij, është shumë më e lidhur me nevojat e tregut.

Drejtuesit e dy shkollave profesionale, u shprehën optimistë, se marrëveshja e binjakëzimit me shkollën profesionale zvicerane, do të fuqizojë formimin profesional në shkollë dhe të rrisë besimin e të rinjve për të siguruar më shpejt një mundësi punësimi.