Shkurt.ch

Nënshkruhet marrëveshja tatimore Zvicër-Gjermani

Të gjitha partitë zvicerane përveç SVP-UDC-së shprehen të kënaqura me marrëveshjen. SPD e Gjermanisë vazhdon t`i thotë jo marrëveshjes

Qeveria e Zvicrës dhe ajo e Gjermanisë kanë nënshkruar sot Marrëveshjen tatimore. Përmes këtij nënshkrimi Zvicra i ka bërë koncesione Gjermanisë në kontestin mbi tatimet që ka zgjatur shumë.

Marrëveshja rregullon në radhë të parë qasjen me paratë “e zeza” (të patatimuara) që gjermanët i kanë deponuar gjatë dhjetë viteve të fundit në kontot e bankave zvicerane. Me marrëveshje deponimet mund të jenë maksimalisht sa 41 përqindëshi i pasurisë së atij që deponon.

Marrëveshja, me plotësimet e bëra, po ashtu përfshin edhe trashëgimitë, të cilat duhet të tatohen në shkallën prej 50%, në rast se trashëgimia nuk është deklaruar para autoriteteve gjermane.

Por, Zvicra nuk ka pranuar të bëjë koncesione në taksimin e fitimeve kapitale të ardhshme. Në këtë pikë, klientët gjermanë të bankave do të tatimohen me 26%, ashtu siç ishin marrë vesh palët në gushtin e kaluar.

Marrëveshja e realizuar sot duhet të nënshkruhet edhe nga parlamentet e të dy vendeve.

Të gjitha partitë zvicerane përveç SVP-UDC-së shprehen të kënaqura me marrëveshjen. Nga ana tjetër, SPD e Gjermanisë vazhdon të kundërshtojë marrëveshjen kështu që mbetet ende problematike nëse ajo do të miratohet nga dhoma e landeve e Parlamentit të Gjermanisë ku kjo parti ka shumicën.