Kosova

Kosovë: Nënshkruhet marrëveshja financiare me SHBA-në

Nga kjo marrëveshje priten investime në Kosovë.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, nënshkruan marrëveshjen për nxitjen e investimeve që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), Bankës për Zhvillim të Amerikës, për të sjellë produktet financiare.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Kosovë, kjo marrëveshje do të ndihmojë vendin në krijimin e vendeve të punës.

“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privat. Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”, tha nënkryetari i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun, John Jovanoviq.

Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike.

Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler, ia bëri Kosovës në shtator.

Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

E lansuar më 2020, DFC-ja bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm, përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve.