Shkurt.ch

Nënoficerit të KFOR-it, 4.90 euro dënim për “ngacmim seksual”

Një nënoficer nga Luksemburgu akuzohej se deri sa ishte me shërbim të KFOR-it në Kosovë kishte bërë "sulm seksual" ndaj një kolegeje të tij

Në pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Luksemburg është zhvilluar një proces interesant gjyqësor. Një nënoficer i këtij vendi akuzohej se gjatë kohës sa ishte me shërbim në trupat e KFOR-it në Kosovë kishte bërë “sulm seksual” ndaj një kolegeje të tij, ushtare.

I akuzuari është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga të gjitha fajësimet. Në fund, ai, në emrin e shpenzimeve gjyqësore duhet të paguaj gjithsej 4.90 euro.

Sipas padisë, nënoficeri 33 vjeçar ishte mbyllur në një dhomë me një ushtare dhe e kishte puthur atë. I ballafaquar me padinë, nënoficeri e pranon këtë por shton se më shumë se kaq nuk ka ndodhur asgjë në atë dhomë.

Të njëjtën gjë e thotë edhe prokurori, por me një ndryshim të vogël, shkruajnë mediet e Luksemburgut. Ai thotë se puna ka përfunduar me kaq vetëm për faktin se në momentin e duhur në dhomë kishte hyrë një oficer i cili e kishte penguar zhvillimin e mëtejmë të ngjarjes.

Prokurori kishte kërkuar gjashtë muaj burg me kusht për të paditurin, për veprën e kryer të ngacmimit seksual, pastaj ndalim të punës në shërbime shtetërore për pesë vjet. Por, gjyqtari i lëndës ka shpallur vendimin lirues ndaj ish oficerit.