Lajme

Negociatat me Serbinë, pas qartësimit të raportit të Dick Marty-t

Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes e bisedimeve me Serbinë derisa nuk qartësohet situata në lidhje me raportin e Dick Marty-t, njofton “Koha Ditore”.

Për Krasniqin, pasi që institucionet e Kosovës dhe qarqe të larta politike janë të përfshira në raportin në fjalë, ato do të duhej ta qartësojnë pozicionin e tyre rreth këtyre “akuzave dhe shpifjeve” të raportuesit të Këshillit të Evropës.

Sipas tij, në qartësimin e situatës do të duhej të kontribuojnë po ashtu edhe Bashkimi Evropian dhe Asambleja e Këshillit të Evropës.

Për të, krimet e përmendura në raport nuk janë bërë as nga populli shqiptar, as nga pjesëtarët e UÇK-së, e as nga politika. “Le ta gjejnë kush është. Edhe ne jemi të interesuar të gjenden ata që janë të përfshirë në një nivel të tillë të krimit të organizuar”, thuhet të ketë thënë ai.