Lajme

“#NeflasimShqip”: Qendra rinore në Bazel fillon të flasë shqip

Qendra, në një studim të brendshëm në vjeshtën e 2021 kishte konstatuar se 90 për qind e të rinjve të pranishëm në Kleinhüningen kishin prejardhje shqiptare

Si e para e këtij lloji në Zvicër, Qendra rinore “Chillout” në Kleinhüningen të Bazelit  zgjeron gamën e saj të gjuhëve, transmeton albinfo.ch. Ajo dëshiron të tërheqë më shumë të rinj me sfond migrimi dhe të shërbejë si shembull në këtë drejtim.

“Qendra rinore ‘Chillout’ fillon të flasë shqip!” Pas disa muajsh përgatitjesh, ata më në fund mund të prezantojnë para publikut projektin e tyre të ri, shkruan qendra rinore “Chillout” në Kleinhüningen në një njoftim për mediat, shkruan bz.basel.ch.

Kjo ofertë do të niste më 1 prill me emërtimin “#NeflasimShqip”.

Projekti ka dalë si rezultat i faktit se qendra më e re për punën rinore në Bazel, në një studim të brendshëm në vjeshtën e 2021 kishte konstatuar se 90 për qind e të rinjve të pranishëm kishin prejardhje shqiptare, transmeton albinfo.ch. Prandaj në gjashtë muajt e fundit është përpunuar një ofertë që tërheq më shumë të rinjtë me prejardhje të huaj në rreth.

Veç kësaj, qendra “Chillout” dëshiron që në këtë mënyrë të veprojë si një model në përmasa zvicerane.

“Nuk është vetëm futbolli që ka lidhje të ngushtë me kulturën shqiptare, siç u pa këtë javë – gjuha shqipe po bëhet më e fortë edhe në Kleinhüningen. Ne dëshirojmë ta marrim parasysh këtë fakt dhe po prezantojmë një ofertë të re duke filluar nga sot”, ka shkruar qendra në një postim të saj në fb.

Menaxher i projektit “#NeflasimShqip” është Endrit Sadiku.