Shkurt.ch

Në Zvicër, vetëm pas kalimit të testit të gjuhës

Të huajt që dëshirojnë të jetojnë në Zvicër  së pari duhet të dëshmojnë njohje solide të gjuhëve nacionale të këtij vendi. Kështu kërkon SVP-ja në një iniciativë popullore, të cilën është duke e përgatitur për një referendum që do të mbahet vitin e ardhshëm, njofton “20 Minuten”.

Iniciativa, sipas ideologut të SVP-së, Christoph Blocher, në intervistën e tij të dhënë gazetës “Sonntags Zeitung”  parasheh një test të obligueshëm të gjuhës për të gjithë ata që pretendojnë të jetojnë dhe të punojnë në Zvicër.

Testin ata do ta bëjnë në ndonjërën nga ambasadat e Zvicrës në vendet përkatëse, pra para se të vijnë fare në Zvicër.

Ndërkaq, të huajt nuk do të mbeten pa u shqetësuar edhe pas ardhjes në Zvicër. Për të vazhduar qëndrimin në këtë vend, ata, pas një kohe do t`i nënshtrohen një testi më të vështirë.

Sipas Blocher-it, kjo procedurë do t`i sillte Zvicrës një sërë të mirash: “Më pak probleme në shkolla, më pak kriminelë, më pak të huaj pa letra, më pak probleme me integrimin dhe më pak ngarkesë për sistemin social”.