Feja

Në Zvicër, 200 ekstremistë të dhunshëm islamikë

"Urrejtja e tyre për shoqërinë e këtushme është edhe me e rrezikshme se ajo që bëjnë ata që shkojnë te luftojnë për xhihadin"

Aktualisht për IS-in (“Shteti Islamik”) luftojnë 66 shtetas zviceranë. Por më të rrezikshëm se ata konsiderohen rreth 200 ekstremistë të gatshëm për ushtrim dhune, të cilët jetojnë në Zvicër, bën të ditur Fedpol (Policia Federale) e Zvicrës, e cila i konsideron ata si rrezikun më të madh për sigurinë e Zvicrës.

Siç ka thënë për SRF shefja e Fedpol-it Nicoletta della Valle, “urrejtja e tyre për shoqërinë e këtushme është edhe me e rrezikshme se ajo që bëjnë ata që shkojnë te luftojnë për xhihadin”. Në mesin e 200 të përmendurve janë rreth 50 deri 60 të cilët tregojnë gatishmëri për dhunë dhe janë “nën radarin” e policisë, gjegjësisht “përcillen nga afërsia shumë e madhe”, ka thënë Valle më tutje.

Ndërkaq, ekstremistët nuk mund të tipizohen. Në mesin e tyre ka të rinj labilë, të pasigurt dhe që janë në kërkim të identitetit të tyre. Por ka edhe prindër mbi 30 vjeçarë që janë radikalizuar dhe që duan të udhëtojnë për në Siri. Por, në “radarin” e Fedpol-it nuk hyn secili që për shembull ka shprehur simpati për kalifatin. Të tillët ende nuk mund të quhen ekstremistë të dhunshëm, ka thënë veç tjerash Nicoletta della Valle.