Integrimi

Në zgjedhjet e sotme në Greqi, kandidojnë dy shqiptarë

Në zgjedhjet e sotme të Parlamentit grek do të kandidojnë edhe dy shqiptarë, Fatos Malaj dhe Eda Gemi, përcjell albinfo.ch.

Eda Gemi është e njohur si eksperte e shkencave politike. Ajo po ashtu ka kandiduar për eurodeputete në zgjedhjet e 26 majit. Sipas një njoftimi në faqen e ministrit të Shtetit për Diasporën, nëse fiton Eda Gemi, ajo do të përfaqësojë shtatë komuna të qytetit të Athinës.

Kurse Fatos Malaj, si ndërmjetës ndërkulturor në Drejtorinë e Emigracionit, ka pasur mundësinë të jetë përherë aktiv në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë dhe në integrimin e tyre në shoqërinë greke, sipas një shkrimi të MD-së.

Gjatë prezentimit si kandidat, Malaj citohet të thënë se ka shumë për të dhënë në rast se zgjidhet.