Kosova

Në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, votuesit mund të zgjedhin deri në 10 kandidatë për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet e ardhshme votuesit mund të zgjedhin deri në 10 kandidatë për deputetë të Kuvendit nga i njëjti subjekt.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, KQZ-ja ka njoftuar se votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik, ndërsa deri në 10 kandidatë për deputetë nga ai subjekt, përcjell albinfo.ch.

“Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik. Mënyra e votimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë”, thuhet në postim.