Kosova

Mallra në vlerë mbi 9 milionë euro kanë hyrë nga Serbia në Kosovë

Që nga 1 prilli, kur u hoqën tarifat kundër Serbisë

Që nga 1 prilli, kur përfundimisht Qeveria e Kosovës hoqi tarifën 100 për qind për produktet serbe, e vendosi ato të reciprocitetit tregtar, ndërsa hoqi pa kushte ato të Bosnjë e Hercegovinës, brenda Kosovës kanë hyrë 9 milionë euro nga shteti serb.

Këtë e ka bërë të ditur për mediat kosovare zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci.

Ai ka thënë po ashtu se mallrat që prijnë, janë ato të industrisë ushqimore, të ndërtimit e kimike.

“Deri tani kemi dërgesa me vlerë rreth 9 milionë euro nga Serbia. Kryesisht industria ushqimore, e ndërtimit dhe kimike”, tha Stavileci.

Ai theksoi se të gjitha dërgesat deri më tani i janë referuar Kosovës sipas emërtimit ndërkombëtar në aspektin tregtar.

“Të gjitha dërgesat deri tani ju kanë referuar Kosovës ne bazë të vendimit të qeverisë si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar”, tha ai.

Ndërsa tutje Stavileci bëri të ditur se nga Bosnja e Hercegovina deri më tani janë importuar 700 mijë euro.