Lajme

Në tetor vjen pasaporta e përditësuar zvicerane

Standardet aktuale të sigurisë e bëjnë të nevojshëm rinovimin e pasaportës zvicerane. Një familje e re pasaportash do të prezantohet në Zvicër në muajin tetor të këtij viti. Se si duhet të duket kjo, është ende një sekret

Dizajni i pasaportës zvicerane nuk ka ndryshuar për rreth 20 vjet. Tani pamja duhet të ndryshojë, pra dizajni do të “rinovohet plotësisht”, shkruan Zyra e Policisë Federale në një deklaratë të saj për media.

Rinovimi i fundit, në vitin 2006

Megjithatë, funksioni i tij do të mbetet i pandryshuar. Fedpol gjithashtu beson se pasaporta do të vazhdojë të vijë me mbulesën e saj të kuqe, transmeton albinfo.ch. Pra, ngjyra nuk ndryshon shumë. Pasaporta zvicerane u përshtat për herë të fundit me standardet e sigurisë së kohës në vitin 2006 me futjen e biometrisë.

Megjithatë, në mënyrë që pasaporta zvicerane të përmbushë standardet më të fundit të sigurisë, ajo duhet të rinovohet. Pavarësisht nga kjo, pasaportat e lëshuara deri më tani mbeten të vlefshme deri në datën që e kanë të shtypur.

Futet edhe “Zvicra e pestë” (diaspora zvicerane)

Si risi, shfaqet “Zvicra e pestë” (diaspora zvicerane në botë) krahas 26 kantoneve ekzistuese. Kjo synon të përfaqësojë zviceranët jashtë vendit.

Kushdo që ka nevojë për një pasaportë të re dhe e dëshiron një me një pamje të re, mund të caktojë një termin për dhënien e të dhënave biometrike në zyrat e pasaportave dhe përfaqësitë përgjegjëse zvicerane jashtë vendit, duke filluar nga data 31 tetor 2022.

Familja e re e pasaportave zvicerane përbëhet nga pasaporta e zakonshme, pasaporta diplomatike, pasaporta e shërbimit, dokumenti i udhëtimit (“pasaporta e refugjatit”) dhe pasaporta për të huajt që jetojnë në Zvicër, përcjell albinfo.chisa. Një pasaportë emergjente gjithashtu do të futet në një datë të mëvonshme.