Kosova

Në takimin Chollet-Kurti u diskutua Plani Evropian për Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, është shprehur kryeministri Kurti

Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kështu thuhet në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.

“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”, thuhet veç tjerash në njoftimin nga kryeministria.

Zyrtari amerikan ka takuar së pari presidenten e vendit, zonjën Vjosa Osmani.

Ai pastaj ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradit.

Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH kishte deklaruar  se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.