Integrimi

Në St. Gallen, me studentët shqiptarë të universitetit nr.1 për ekonomi në Zvicër

Rreth tetëdhjetë studentë shqiptarë studiojnë në universitetin më të mirë për ekonomi të Zvicrës, në St. Gallen

Universiteti i Zvicrës lindore, i njohur si Universiteti St. Gallen, është njëri ndër universitetet e shumta të Zvicrës ku viteve të fundit numri i studentëve shqiptarë ka shënuar rritje.

Në kuadër të këtij universiteti vepron edhe Lidhja Studentore Shqiptare që ishte themeluar dy  vite më parë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, më 28 nëntor 2012. Lidhja Studentore Shqiptare në Universitetin e St. Gallenit numëron sot  50 studentë shqiptarë. Kjo shoqatë është e hapur për të gjithë pa dallim, thotë kryetari, Faton Musliu.

Ky tempull i dijes është radhitur tri vite radhazi në mesin e dhjetë universiteteve më të mira evropiane për ekonomi. Gazeta prestigjioze britanike “Financial Times” e ka renditur universitetin zviceran këtë vit në vendin e gjashtë si universitetin më të mirë për ekonomi në Europë.
Studentët që diplomojnë në këtë universitet, thuhet se janë më të kërkuarit në tregun e punës për financa dhe kontabilitet.

Reputacioni i këtij universiteti e ka nxitur vlonjatin, Loren Sinaj, të marrë rrugë prej Lozanës, rreth 300 km, për t’u shkolluar në St. Gallen. “Ti shohësh pozicionet e njerëzve që kanë mbaruar studimet në këtë universitet, janë ndër pozicionet më të mira që kanë në tregun e punës” shprehet ai. Prindërit e mi jetojnë në Lozanë dhe unë kam ardhur këtu sepse është emër i njohur, thotë ai në tryezën e organizuar nga Lidhja Studentore, në pritje të portalit albinfo.ch. “Univeristeti i St. Gallenit është goxha i njohur ndërkombëtarisht. Njoh shumë njerëz që si unë vijnë nga Cyrihu apo Lozana, Berna, Lucerni e vende të tjera të studiojnë në këtë universitet” shprehet Loren Sinaj i rritur në Cyrih dhe Lozanë.

Universiteti i St. Gallenit është lider i vendeve gjermanofolëse dhe ka një traditë më shumë se njëqindvjeçare në financa dhe kontabilitet.
Ky universitet ofron studime në pesë drejtime, duke filluar nga bachelor, master dhe doktoraturë. Momentalisht universiteti i St. Gallenit me numra ka 7666 studentë aktivë, me rreth 2700 punonjës dhe me një buxhet prej 212 milion frangash.

Shifrat tregojnë se numri i studentëve shqiptarë nuk është edhe aq i madh, marrë  parasysh përqindjen e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Ndoshta për shkakun që ky universitet nuk është i lehtë, madje viti i parë, është shumë, shumë i vështirë, thotë Sinaj. “Mua personalisht mu duk shumë i vështirë, donte shumë vullnet dhe vetëbesim”. Këtë e dëshmon edhe studenti tjetër, Fitim Dibrani, i cili veçoi një fakt interesant që tregon se rreth 50 përqind të studenteve dhe studentëve të vitit të parë të studimeve nuk arrijnë kushtin të kalojnë në vitin e dytë. Një fakt tjetër, tha ai, është se për çdo vit konkurrojnë nga mbarë bota 1200 deri në 1400 studentë për t’u pranuar  në këtë universitet.

Në mesin e këtyre konkurrentëve të shumtë ka qenë dhe 21 vjeçja, Xheneta Rexhepi nga Gostivari. Kur Xheneta po mbaronte klasën e shtatë në Zvicër, prindërit e saj kishin marrë vendim të ktheheshin në Gostivar për të jetuar.  Deri në klasën e shtatë ajo kishte jetuar në Zvicër. Klasën e tetë dhe shkollën mesme, Xheneta kishte përfunduar në Gostivar, kurse për studime kishte aplikuar për t’u regjistruar në Zvicër.
“Dëshira dhe qëllimi im kryesor ka qenë gjithmonë të kthehem përsëri në Zvicër, kështu që kam aplikuar në universitetin e St. Gallës dhe në atë kohë të Cyrihut”, tregon ajo se si ka përkthyer tërë dokumentacionin e kërkuar nga universiteti i St. Gallenit për të realizuar dëshirën e fëmijërisë që të kthehej prapë në Zvicër. Falë diplomës së shkollës së mesme të mbaruar në Gostivar dhe shtatë viteve të para në Zvicër, Xheneta ka filluar sivjet vitin e parë pa iu nënshtruar provimit pranues.

Shqiptarët përbëjnë rreth 1 % të numrit të përgjithshëm të studentëve që vijojnë studimet në këtë universitet

“Në krahasim me përqindjen e popullatës shqiptare në Zvicër, përqindja e studentëve shqiptarë, është e ulët”, shprehet kryetari i Lidhjes Studentore Shqiptare, Faton Musliu.

Kumanovari 26 vjeçar është në përfundim të studimeve master, drejtimi financa kontabilitet. “Jam pak para fundit”, shprehet ai, “temën e kam shkruar dhe studimet pothuajse i kam mbaruar”. Ai është i bindur që në këtë tempull, studimet vijojnë mbi 80 studentë shqiptarë. “Me atë çfarë unë kam parë emra të shqiptarëve nëpër lista, janë diku rreth 80 studentë shqiptarë të regjistruar në këtë universitet”, dëshmon kryetari i Lidhjes Studentore, i cili kujdeset për studentët e rinj, duke u ofruar ndihmë në akomodim e këshilla mësimore.

“Ne kemi organizuar një takim të vogël ku një doktorant i yni u  ka ofruar këshilla studentëve të rinj se si mund ta shkruajnë një temë”, shprehet Fatoni.

Arbana Nuhiu është njëra ndër studentet e rralla shqiptare që kishte studiuar gjuhët sllave. Sot ajo është në semestrin e parë master, drejtimi Menaxhim Biznesi. “Në gjimnaz lëndë kryesore kam pasur latinishtën dhe gjithmonë më kanë interesuar gjuhët. Kur u regjistrova në fakultet krejt më thonin shko në juridik apo ekonomik, mirëpo unë dëshiroja diçka tjetër, dëshiroja si lëndë studimi rusishten dhe serbishten.

Por si duket jeta e natës në St. Gallen për studentët shqiptarë?

Ata janë mirë të organizuar në shoqatë, Facebook, Whatsup e rrjete të tjera sociale, por ju mungon organizimi i jetës së natës. Për jetën e natës në St. Gallen nuk kanë fjalë të mira. “St. Galleni është qytet i ftohtë, ka shumë mjegull dhe nuk  e di, është qytet i hirtë”, thotë vlonjati.
Për Arbanën St.Galleni është qytet që nuk ka gjallëri, vetë universiteti është pa ngjyra, thotë ajo.
I ftohët mu si sytë blu të politikanës së re, 21 vjeçares Argona Kajtazi, e cila ka zgjedhur Marrëdhëniet Ndërkombëtare si sfidë të jetës së saj rinore. “Arsyeja pse unë kam zgjedhur të studioj Marëdhëniet Ndërkombëtare, ështe se unë jam rritur në dy kultura dhe kam pasur gjithnjë një interesim të madh për kultura të tjera, shprehet ajo.

Shumica e këtyre të rinjve krahas studimeve shkojnë dhe punojnë për të financuar shkollën. Rasti i vajzës nga Cyrihu që me të atin mjek, ka hapur ordinancën e bukurisë, tregon se si ajo karahas studimeve vazhdimisht shkon dhe punon në ordinancë.
Po ashtu, Kaltrina Abdili me prejardhje nga Tetova, e rritur në metropolin zviceran, Cyrih për t’u shkolluar ka zgjedhur universitetin e St. Gallenit.

Arsyet e Venera Halimit, për t’ia mësyer universitetit të St. Gallenit, janë fama e madhe që gëzon ky universitet. “Ky fakultet ka emër dhe reputacion shumë të madh”. “Në këtë fakultet ke më shumë punime seminarike se në fakultetet e tjera. Dallimi i punës në studime me univeristetin e tjera është se këtu një punim seminarik kërkohet me 10 faqe, kurse në Basel me 4-5 faqe, plotëson Venera.

Nora, me dy fakultete

Shqiptarja me dy fakultete, Nora Dushica, suksesin e studentëve e lidhë me përkrahjen e prindërve që u japin fëmijëve qysh në moshë të re. “Në fillim kanë qenë prindërit ata që më kanë nxitur të mësoj, kurse tani jam unë vetë ajo që kujdesem”. Nora tregon se ka pasur një rrugë më të gjatë të shkollimit, duke mbaruar fillimisht zanatin në një bankë të UBS-it dhe pastaj fakultetin e parë dhe tani të dytin në St. Gallen ku dhe është e punësuar si asistente në kuadër të universitetit St. Gallen. “Jeta studentore është aq e mirë e dinamike për mua sa që më ka shtyrë të regjistrohem edhe në fakultetin e dytë”.