Kosova

Në Shtaval të Serbisë rifillojnë gërmimet për personat e zhdukur

Në Shtaval të Serbisë kanë rifilluar gërmimet për persona të zhdukur, ka njoftuar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Sipas tij, gërmimet në këtë zonë kanë nisur në majin e vitit 2021, por tashmë po vijojnë nën prezencën e KQPZH-së dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkruan albinfo.ch.

“Pas angazhimit të vazhdueshëm në kuptim edhe të adresimit të kërkesave në kuadër të takimeve të nëngrupeve punuese gjatë këtyre 2 viteve, gërmimet e nisura në Maj të vitit 2021, nga kjo javë, përkatësisht nga data 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin në Shtaval, Sijenicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML”, ka deklaruar Gara për KOHËN.

Ndër të tjera, ai ka thënë se lokacioni në Shtaval është një nga lokacionet e shumta “që Kosova i ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi”.

“Me qëllim të ruajtjes së procesit, për detajet e tjera, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës do të njoftojë në momentin e parë që mund të kemi gjetje në atë lokacion. Lokacioni në Shtaval, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi”, ka shtuar tutje ai.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2022, Serbia kishte bllokuar gërmimin në Shtaval.