Lajme

Në Shkup arrihet marrëveshje politke, Gruevski ikën më 31 dhjetor

Pas bisedimeve maratonike me ndërmjetësimin e Komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Jonahes Hahn, në Shkup është arritur marrëveshja për dalje nga kriza politike në Maqedoni. Në bazë të marrëveshjes, kryeministri Nikola Gruevski do të largohet nga posti i tij më 31 dhjetor të këtij viti, kurse zgjedhjet do të mbahen në muajin prill të vitit tjetër, ndërkaq, opozita do të kthehet në parlament.

Siç transmeton agjencia e lajmeve INA, sipas kësaj marrëveshje qeveria e përkohshme apo kalimtare të formohet deri më 15 janar 2016;VMRO-DPMNE nominon kandidatin për kryeministër (deri 15 janar 2016), por në konsulta edhe tri partitë e tjera LSDM, BDI dhe PDSH; Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 24 prill 2016; LSDM do të nominojë kandidatin për ministër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por siç thuhet në konsultime edhe me VMRO-DPMNE dhe BDI.

Ndarja e ministrive tjera do të jetë midis partive kryesore, ndërsa edhe zëvendësministrat do të kenë të drejtën e qasjes dhe vetos në gjitha ministritë për çështjet e lidhura me zgjedhjet. LSDM zëvendësministra  do të ketë në ministrinë e financave, bujqësisë dhe shoqërisë informatike dhe administratës.

Prokurori i ri Special do të duhet të zgjidhet deri më 15 shtator 2015, që do të udhëheq hetimet për përgjimet dhe do të zgjidhjet sipas marrëveshjes midis katër partive politike.

Nga kthimi i opozitës në Parlament do të nis miratimi i pakos së reformave për zgjedhjet dhe reformat e tjera, por edhe rekomandimet speciale nga raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Rajnhard Pribe.