Uncategorized

Në shenjë përkujtimi të mësuesit dhe shkrimtarit, Femzi Braha

Mësuesi dhe shkrimtari, Femzi Braha u lind më 17.07.1962 në fshatin Skromë, Komuna e Vushtrrisë

Femziu na la, ishte ky një lajm i hidhur dhe i papritur i mikut tim të mirë dhe kolegut të dashur, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit dhe shkollës shqipe, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja. Vdekja ia këputi jetën atëherë kur s’e priste dhe ia la përgjysmë endrrat dhe projektet mikut tim të vyer. Iku në amshim, duke lënë pas bashkëshorten e tij të dashur, Vjollcën, që nuk iu nda tërë jetës në aktivitetin e tij të bujshëm si mësuese e gjuhës dhe kulturës amtare në Zvicër dhe tre djemtë e nipat dhe mbesat, të cilët e deshën shumë babain dhe gjyshin e tyre të dashur e shpirtmirë.

Tashmë që mbetëm pa të, duhet t’ i khehemi ngushëllimit për të gjetur shpëtim në veprat e ndritshme që la pas dhe ta përkujtojmë atë që s’ është më në mesin tonë.

Ashtu si familja, edhe ne koleget/ët e tij mbetëm pa mikun dhe kolegun që na shoqëronte në jetë. Kur po prisja të takohemi si zakonisht për kafenë e radhës, e kisha të vështirë të pranoja lajmin e vdekjes, por jeta është e tillë.

Shpirti yt në parajsë, miku im i nderuar, Femzi Braha!

Të qoftë i lehtë dheu i Atdheut që aq shumë e deshe!

Mësuesi dhe shkrimtari Femzi Braha u lind më 17.07.1962 në fshatin Skromë, komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Vushtrri, ndërsa Gjimnazin, Drejtimin Kulturologji, e përfundoi në Zveçan të Mitrovicës. Më 1985 i përfundon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Familja Braha është një familje me tradita arsimdashëse. Babai i tij, Sokoli, ka qenë mësuesi i parë i fshatit dhe veteran i nderuar i arsimit. Pas diplomimit, Femziu ushtron profesionin e mësuesit në vendlindje. Për arsye ekonomike dhe politike, në vitin 1987 u detyrua të emigrojë në Zvicër. Aktivitetin patriotik e vazhdoi edhe në mërgim, ku tërësisht iu përkushtua arsimit të fëmijëve shqiptarë. Në vitin 1991 hapi shkollën e parë shqipe të mësimit plotësues në Sion të kantonit Valis, ku punoi dy vjet bashkë me bashkëshorten e tij, mësuesen Vjollca Aliçkaj – Braha, nga Irzniqi i Deçanit.

Që nga viti 1991 ishte anëtar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër. Po ashtu Femziu ishte edhe anëtar i Lidhjes së Arsimtarëve Zviceranë LCH. Në vitin 1994, krahas punës si mësues në Kantonin e Aargaut së bashku me Vjollcën, hartuan fletoren e punës “Shpresat tona”, e cila u shtyp në Stamboll. Kjo fletore pune atë kohë ishte libri i parë që u botua për nevojat e nxënësve fillestarë për mësimin e alfabetit shqip në mërgim, që në fakt ishte një Abetare.

Më 1996, së bashku me Prof. Dr. Basil Schader, është bashkautor i librit pedagogjik me përmbledhje të materialeve shkollore me udhëzime didaktike. I titulluar “Shqip”, ky libër  në vitin 1997 u vlerësua si libri më i mirë pedagogjik i vitit dhe  mori çmimin e parë nga Fondacioni “Peter Hans Frey” në Zvicër.

Më 1994 po ashtu hartoi dhe botoi revistën për nxënësit shqiptarë “Shqiponjat” në Aargau, që u dedikohej nxënësve shqiptarë në Zvicër. Revistë e cilla fillimisht do të jetë organ i Lidhjes së arsimtarëve në Kantonin e Aargaut derisa më vonë shëndrrohet në organ të LAPSH “N. Frashëri në Zvicër dhe ishte zë i çmuar për kultivimin e gjuhës dhe kulturës së Atdheut, i pasur me shkrime të nxënësve, mësimdhënësve e prindërve shqiptarë dhe ndihmoi mjaft në masovizimin e mësimit shqip në Zvicër.

Në vitin 2001 botoi në gjermanisht librin për fëmijë “Kutia e çudirave”, Zyrih. Për dy vite 2001/02 ishte redaktor i  radios shqipe “Zëri i mërgimtarëve”, pranë valeve të  radios Kanali K në Aarau. Në vitin  2004  botoi librin  shqip – gjermanisht “Besniku, Qeni Guximtar” në  Tiranë. Ky libër u bë dy gjuhësh pasi në gjermanisht e përktheu Basil Shader, njeriu që ndihmoi shkollën shqipe në Zvicër e më gjërë. Derisa libri i Femziut u sherbeu nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë dhe ishte një lehtësim i mësimit të gjuhës shqipe.

Gjatë luftës së Kosovës ka pasur Klubin  e tij “ODA” në Baden të kantonit të Aargaut, ku janë zhvilluar  shumë aktivitete e veprimtari atdhetare, në përkrahje  të luftës së drejtë të popullit shqiptar për çlirim. Po ashtu ishte iniciator dhe bashkëthemelues i Shoqatës humanitare “Ruzhdi Hyseni” me seli në Baden  të Zvicrës, shoqatë e themeluar nga  mërgimtarët Vushtrrias me banim në Zvicër.

Veprimtaria e Femziut pasurohet më tutje. Libri  “Për popull e atdhe” pjesa e parë, i botuar në vitin 2012, me rastin e  100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesa e  dytë e botuar në vitin 2013 në Prishtinë, ishte një dhuratë për mërgimtarët afaristë në Zvicër, në të cilën paraqitet shpirti human dhe  solidariteti i këtyre mërgimtarëve që kontribuan gjatë viteve dhe kontribuojnë edhe sot për popull e atdhe. Ai boton edhe pjesën e tretë të  këtij libri, i cili shef dritën e botimit me kontributin e mërgimtarëve afaristë në Zvicër. Autori, me mjetet që ka marrë nga këta burra e gra,  veç botimit të librave, në emër të  të gjithë atyre që janë pjesë e tyre ndërtoi një shtëpi komplet me çelësa për një familje minatori dhe ish ushtari të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës në Shalë të Bajgorës, në fshatin Bare. Me pjesen e dytë të librit poashtu në emër  të gjithë atyre që kontribuan, ndërtoi një shtëpi komplet me çelsa në dorë një ish ushtari të Ushtrisë çlirimtare  të Kosoves në fshatin Palaj të komunës së Obiliqit. Ky libër projekt do të vazhdojë me pjesen e tretë me titull “Libri që ndërton shtëpi familjeve skamnore në Atdhe.

Femzi Brahën e ndihmoi shumë edhe bashkëshortja Vjollca Aliçkaj Braha, e cila nuk iu nda kurrë në aktivitetet atdhetare në Zvicër si mësuese e shkollës shqipe.

Me vdekjen e Femziut familja humbi me të dashurin e tyre, derisa koleget/ët humbën njeriun që kontribuoi në mësimdhënjen e gjuhës dhe kulturës amtare dhe autorin e shumë teksteve mësimore, letrare e publicistike që u dha krah shumë nismave në Kantonin e Aargaut dhe në Zvicër në përgjithësi.

Jeta dhe vepra e tij do të jetojë gjatë në kujtesën e mergimtarëve.

I qoftë i lehtë dheu i Atdheut.