Shkurt.ch

Në senat, zëra kritikë për ashpërsimin e azilit

Diener (GLP) “Tashti është detyrë e Dhomës së Kantoneve që temën populiste të azilit ta shqyrtojë në mënyrë të arsyeshme”

Ndryshe nga shumica në Dhomën Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, në dhomën tjetër, në atë të kantoneve (senat) ka më shumë zëra kritikë nga pjesëtarët e partive të djathta lidhur me ashpërsimin e Ligjit për Azilin.

Duhet theksuar se, për tu bërë i plotfuqishëm ligji i reviduar, duhet të kalojë për votim në Dhomën e kantoneve.

Kështu, shefi i grupit parlamentar të CVP-PDC-së Urs Schwaller ka reaguar ashpër kundër vendimit që azilkërkuesve tu mohohet e drejta për ndihmë sociale. Ai ka thënë për gazetën “Sonntag” se Dhoma Nacionale me ashpërismin e bërë po synon të shkaktojë frikë. Kjo që ka bërë dhoma në fjalë është më shumë ekonomizim i problemit se sa zgjidhje e problemit”.

Schwaller kërkon që në vend të të gjitha këtyre masave restriktive të bëhet vetëm shkurtimi i procedurave të azilit.

Edhe deputetja liberale e gjelbër (GLP) Verena Diener ka qëndrim kritik ndaj ashpërsimit të ligjit mbi azilin. “Tashti është detyrë e Dhomës së kantoneve që temën populiste të azilit ta shqyrtojë në mënyrë të arsyeshme”, ka thënë ajo.