Integrimi
“Ne, `Secondove`, na duhet një shans, të tjerat i bëjmë vet
Patrik Berisha, CVP: “Këto janë zgjedhjet e para në të cilat po garoj. Por për mua është e qartë se unë po hy në garë për të fituar”
Më 28 mars në qytetin e Lucernit mbahen zgjedhjet për Asamblenë e qytetit. Shqiptari i lindur në Zvicër, Patrik Berisha do të garojë për herë të parë në këtë nivel dhe do të përfaqësojë CVP-në (Partia Demokristiane). Kush është Patriku, çfarë e preokupon atë, cilat janë shqetësimet e tij si politikan i ri dhe si mendon të ndikojë në politikëbërjen e qytetit ku jeton, mësoni nga intervista në vazhdim.
Albinfo.ch: Kush është Patrik Berisha?
Patrik Berisha: Jam i lindur dhe i rritur në Lucern, Zvicër. Punoj si ndërmarrës i pavarur, konferencier TEDx, investitor dhe partner në firma e projekte të ndryshme. Para ligjit jam ende beqar, por këtë vit do të martohem me të fejuarën time të tashme të mrekullueshme.
Kur keni filluar të merreni në mënyrë aktive me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë?
Politika më ka interesuar që nga rinia e hershme. Gjetja e zgjidhjeve dhe perceptimi zviceran për demokracinë janë fascinuese për mua dhe unike në botë.
Ju jeni pjesë e CVP-së. Kur e keni filluar angazhimin në këtë parti? A keni marrë pjesë në strukturat partiake lokale?
Prej disa vitesh kam filluar që gjithnjë më shumë të angazhohem dhe të interesohem në nivelin lokal. Unë jetoj në Lucern dhe jam në mënyrë të drejtpërdrejt i prekur nga ajo që vendoset këtu. Më tutje, politika e ndikon përditshmërinë tonë dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Përse jeni përcaktuar pikërisht për CVP-në? Cilat janë vlerat që ju i ndani me këtë parti?
CVP përfaqëson vlerat me të cilat unë identifikohem në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vlerat si familja, vetëpërgjegjësia dhe liria. Para së gjithash familjet në Lucern viteve të fundit sikur janë lënë në harresë. Prandaj unë dua të angazhohem, veç tjerash, edhe në këtë pikë. Pastaj CVP qëndron pikërisht në qendër dhe është një ndërtuese urash në mes të fronteve aktualisht të ngurtësuara në mes të socialdemokratëve dhe të djathtëve. Ka nevojë për konsensus dhe për zgjidhje. Aty dua të angazhohem unë.
A janë këto zgjedhjet e para në të cilat po merrni pjesë?
Po, këto janë zgjedhjet e para në të cilat po garoj. Por për mua është e qartë se unë po hy në garë për të fituar.
CVP është tradicionalisht forca kryesore politike në Kantonin e Lucernit. Por nuk është kështu edhe në qytetin e Lucernit. A e bën kjo më të vështirë garën për anëtar të asamblesë?
Është e rëndësishme të dëshmojmë se ne jemi për një politikë të qëndrueshme dhe të orientuar drejt zgjidhjeve. Qytetarët e Lucernit e dinë se për çfarë po flas dhe unë jam i bindur se ne në këto zgjedhje do të ja dalim të kemi një rezultat të suksesshëm.
Në tri vitet e fundit, Lucerni, mjerisht nuk ka bërë pothuajse asnjë përparim. Pra ne nuk jemi aftësuar për të ardhmen por kemi rrëshqitur në një politikë simbolesh, e cila nuk ka sjellë zgjidhje. Ka ndodhur madje e kundërta: janë krijuar më shumë probleme, si për shembull në trafik.
Me Andrea Gmür, deputete nga CVP Luzern në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës
Në qytetin e Lucernit ka shumë shqiptarë me shtetësi zvicerane. Na i tregoni disa arsye përse ata do të votonin për ju? Çfarë premton Patrik Berisha, për të merituar votën e shqiptarëve po edhe të qytetarëve tjerë me sfond migracioni?
Ne, shqiptarët, ashtu sikur dhe “Secondot” tjerë, e dimë se përkundër punës sonë të zellshme, të rëndë dhe të ndershme, jo gjithmonë jemi trajtuar në mënyrë të barabartë. Ne na është dashur të pranonim secilën punë që na është ofruar. Prindërve tanë u është dashur shpeshherë të merrnin vendime të rënda. Kjo na ka shtyrë ne që ne të punojmë edhe më shumë me veten. Ne tani ndodhemi në një pikë ku nuk detyrohemi të fshihemi. Atë që e bëjmë ne, e bëjmë me një vendosmëri të qindpërqindtë dhe kjo na ka bërë më të mirë. Aq të mirë sa që e kemi merituar respektin e zviceranëve autoktonë. Si në sport ashtu edhe në karrierë, ne kemi ngritur karriera dhe ofrojmë për çdo ditë kontributin tonë për mirëqenien dhe suksesin e Zvicrës sonë.
E gjithë ajo që ne na është dashur kurdoherë, ka qenë një shans i drejtë në frymën e lirisë, barazisë dhe dinjitetit, me të cilin ne kemi lindur. Për këtë shans të drejtë, unë do të angazhohem gjithmonë. Ne nuk duam më shumë pasi që pjesën tjetër e realizojmë me zellin dhe ambicien tonë. Pra duam një shans të ndershëm.
Apo ndoshta keni më shumë shpresa të merrni vota nga zviceranët autoktonë? A keni rrjet shoqëror me ta, në mënyrë që të llogaritni përkrahjen e tyre?
Shumë zviceranë, tek ne, tek shqiptarët e brezit të dytë (Secondot) shohin njerëz që janë integruar shumë mirë dhe që kanë vullnetin për të mbështetur vlerat zvicerane. Ka shumë të tillë që më mbështesin.
Me cilat çështje do të merreni nëse zgjidheni në Asamble?
Në fokus do t`i kem çështjet si turizmi, sfera sociale dhe ajo e komunikacionit.
A keni ambicie për të marrë pjesë në zgjedhje të niveleve tjera (kantonale ose nacionale) në një të ardhme të afërt?
Jam i fokusuar në këto zgjedhje (lokale). Unë shoh shumë nevojë veprimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Lucernit. Në këtë pikë unë dua ta jap kontributin tim. Ky është qëllimi im.
Po ambicie për të punuar në ekzekutivin e komunës ose më lart?
Puna në legjislativ është aktualisht për mua prioriteti i vetëm. Aty unë mund të shërbej si ndërtues urash në mes të fronteve të ngurtësuara, disa nga të cilat prezantojnë zgjidhje për problemet që i kanë krijuar vetë.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës