Gruaja

Në prag të përfundimit të vitit shkollor të mësimit plotësues të gjuhës shqipe

Nexhmije Mehmetaj: "Ky është viti i fundit për mua në mësimdhënien shqipe, unë dal në pension për të ndjekur pasione të tjera në jetën time"

Ditën e shtunë, data 12 qershor, ora 15:00, në Delemont, në prag të përfundimit të vitit shkollor të mësimit plotësues të gjuhës shqipe u mbajt mbledhja e prindërve nën drejtimin e z. Naser Ramabaja, kryetar, LAPSH në Jura.

Nën kujdesin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Jura viti shkollor 2020-2021 është i 28 vit i mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, nga mësuesja Nexhmije Mehmetaj.

Çaste solemne dhe mallëngjyese. Rreth 80 fëmijë duke ligjëruar në gjuhën e bukur të atdheut tonë të dashur. Fëmijë që kanë lindur në mërgim dhe janë çdo ditë nën ndikimin e kulturës dhe gjuhës së vendit ku prindërit e tyre kanë mërguar.

Deri më tani, forma më e suksesshme e ruajtjes dhe zhvillimit dhe e afirmimit të gjuhës e kulturës së origjinës është shkolla plotësuese në gjuhën amtare.

Këta nxënës çdo të mërkurë, apo ditëve tjera pas mësimit të përditshëm, në vend të pushimit zgjodhën të vijnë në shkollë e të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën shqipe, historinë dhe gjeografinë e vendit tonë si një domosdoshmëri për rrënjët e identitetit kombëtar dhe dygjuhësinë.

Pjesa tjetër e nxënëseve nuk kanë vijuar mësimin shqip për arsye të ndryshme, ku më kryesorja është moskujdesi i prindërve.

Afërsisht pas tre dekadash në Mësimin shqip unë ndihem e privilegjuar qe punova në këtë institucion kaq të respektuar. Ky kuadër më dha mundësinë e vetme në Zvicër të ushtroj profesionin tim dhe të ndihmoj fëmijët për të krijuar një identitet dy kulturor e dy gjuhësor. Andaj dua të them se për mua ka qenë një nder, nëse kam ndihmuar sado pak në këtë përpjekje.

Ky është viti i fundit për mua në mësimdhënien shqipe, unë dal në pension për të ndjekur pasione të tjera në jetën time. Nuk e mohoj që me këtë rast gëzimi dhe dhimbja janë bërë njësh në shpirtin tim.

Naser Ramabaja, në emër të LAPSH-ës  më përgëzoi për rezultatet dhe më  dha një  Mirënjohje me këtë përmbajtje: “Për veprimtarinë në Shkollën Shqipe prof. Nexhmije Mehmetaj, kontribuoi më se 30 vite gjeneratave, në cilësinë e profesoreshës dhe themelueses së Shkollës Shqipe në kantonin Jura të Zvicrës. Me angazhimin e saj në lëmin arsimor, pedagogjik të gjuhës amtare shqipe, me sukses arriti në kultivimin  dhe ruajtjen e vlerave të interesit nacional shqiptar, konkretisht në aspektin gjuhësor, kulturor, historik e gjeografik të origjinës së fëmijëve tanë të lindur dhe rritur larg atdheut”.

Komuniteti shqiptar u është mirënjohës autoriteteve zvicerane të kantonit Jura për mundësinë që na dhanë që mësimin e gjuhës amtare ta mbajmë në shkollë, duke na afruar klasat falas.

Falënderoj të gjithë prindërit që vlerësuan shkollimin shqip dhe u përpoqën për fëmijët e tyre për të përvetësuar gjuhën amtare, për të shkruar dhe lexuar shqip.

Gjatë kësaj periudhe kam përjetuar shumë ngjarje të mira, por, nuk e mohoj shqetësimin që më ka prekur në zemër, kur prindërit shqiptarë pa ndonjë arsye nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe.

Jam e kënaqur që për vitin e ri shkollor 2021-2022, kemi krijuar mundësinë për të vazhduar mësimi plotësues shqip, duke bartur kompetencat tek mësuesi i ardhshëm z. Naser Ramabaja, i urojmë punë të mbarë dhe suksese në rrugën e shkollës shqipe.

Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim. Prej vitesh unë dhe arsimtarët tjerë shqiptarë jashtë atdheut u munduam që errësirën për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e mërgimtarëve nga mosinteresimi i shtetit tonë, ta shpërndajmë vetë.

Sot jemi të zhgënjyer nga mos interesimi i shtetit të Kosovës, që puna jonë nuk vlerësohet dhe mësimi plotësues i gjuhës shqipe nuk institucionalizohet.